Bajrami: Kurti natën e zgjedhjeve shembi urat e bashkëpunimit

22:01 | 3 Qershor 2025
E.G

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami tha se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i shembi urat e bashkëpunimit në natën e zgjedhjeve.

“Ju e dini që ka fituar 42 për qind të votave, derisa do të duhej që natën e zgjedhjeve t’i uronte partitë tjera, ai ka dalë e i ka ofenduar të gjithë të tjerët, ka shembë, jo vetëm atë natë, por për katër vite ka shembur urat e bashkëpunimit. Problemi sot është politika e Vetëvendosjes”, tha ajo.

Bajrami tha se në Kosovë nuk ka fitues absolut të zgjedhjeve.

“Nuk i morën ato 500 mijë votat e tash duhet të ulen e të reflektojnë. Numrat janë numra, ne nuk mund t’ua huazojmë votat e atyre që na kanë votuar neve, për të çuar përpara politikat e tyre. Ne i thamë jo, atyre u mbetet që t’i ftojnë edhe të tjerët. Marrëveshja për koalicion do të jetë pajtueshmëri e të dy palëve. Ne kemi ardhur me një propozim tjetër, ne mund të pranojmë të jemi pjesë e një qeverie kalimtare gjithëpërfshirëse me një agjendë të caktuar. Ne kemi në mendje se cilat janë problemet kryesore që mund t’i zgjidhë një qeveri kalimtare. Dhe në mars të vitit 2026, ashtu-kështu do të ketë zgjedhje, sepse vjen koha kur duhet të zgjidhet presidenti, dhe siç shihet nuk ka koalicion që i siguron 80 vota, prandaj ejani të bëhemi bashkë t’i kryejmë disa punë urgjente për Kosovën, për qytetarët, t’i iniciojmë disa projekte të mëdha”, tha në RTK, Hykmete Bajrami.

Shpërndaje në rrjete sociale