Autoriteti i Konkurrencës refuzon pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga LDK-ja për energjinë

18:48 | 20 Maj 2025
E.G

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e së mërkurës, të thirrur nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Takimi parashihet të zhvillohet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të diskutuar kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike.

Në një deklaratë në Facebook, Autoriteti i Konkurrencës thekson se vendimi për mospjesëmarrje është marrë duke u bazuar në mandatin kushtetues dhe ligjor të institucionit, si dhe në nevojën për të ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë institucionale – elemente që sipas tyre, janë themelore për integritetin dhe funksionimin e këtij organi.

“Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës njofton opinionin publik, mediat dhe palët e interesit se nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar për datën 21 maj 2025, i organizuar nga përfaqësues të subjektit politikë parlamentar, në takim me komunitetin e biznesit, ZRrE-së dhe deputetë të partive parlamentare, lidhur me vendimin për kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike.

Vendimi për mospjesëmarrje është i bazuar në mandatin kushtetues dhe ligjor të Autoritetit të Konkurrencës, si dhe në nevojën për ruajtjen e pavarësisë dhe paanshmërisë institucionale, e cila është shtyllë themelore për funksionimin dhe integritetin e institucionit.

Bazuar në nenin 21, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti është agjenci e pavarur, që për punën e vet i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më tej, paragrafi 3 i këtij neni përcakton qartë se:

‘Ndalohet çdo ndërhyrje, politike, publike ose private që mund të cenojë pavarësinë ose paanshmërinë e Autoritetit’.

Kjo dispozitë nënvizon domosdoshmërinë që Autoriteti të veprojë vetëm mbi bazën e ligjit dhe të kompetencave të tij, pa u përfshirë në formate politike, debate ad-hoc apo iniciativa të cilat nuk zhvillohen në përputhje me strukturat zyrtare shtetërore.

Për më tepër, në rrethanat aktuale ku Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është i konstituar, Autoriteti nuk është në pozitë institucionale për të ndër vepruar me grupe parlamentare, deputetë individualë apo organizime me natyrë politike jashtë kuadrit formal të Kuvendit.

Autoriteti i Konkurrencës mbetet i përkushtuar të veprojë në mënyrë profesionale, të paanshme dhe objektive, duke garantuar mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe funksionimin e tregut sipas parimeve ekonomike dhe të ligjshmërisë. Theksojmë se bashkëpunimi i Autoritetit me institucionet shtetërore po ndodh dhe po zhvillohet në çdo kohë, brenda kornizës së mandatit ligjor dhe në funksion të interesit publik, e posaçërisht në momentin kur të rikthehet funksionimi i rregullt i Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme