Dy të arrestuar në Prishtinë, sekuestrohet mbi 8 kilogramë drogë dhe një armë

13:14 | 5 Maj 2025
E.K

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në dy raste të ndara në rajonin e Prishtinës, nën dyshimin për posedim të substancave narkotike, duke sekuestruar gjithashtu prova materiale përkatëse.

Sipas një njoftimi të Policisë, në rastin e parë, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), pas një pune intensive në terren, ka siguruar informacione për një person të dyshuar që ka në posedim kokainë dhe marihuanë.

Gjatë kontrollit të realizuar të dielën në objektin ku jeton i dyshuari, janë sekuestruar një sasi e madhe narkotikësh, përfshirë 4680 gramë marihuanë dhe 5.34 gramë kokainë, si dhe peshore digjitale, armë zjarri, para të gatshme dhe sende të tjera. Po ashtu, janë konfiskuar dokumente dhe një automjet.

Në lidhje me këtë rast, është iniciuar procedura për “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”, dhe ndaj të dyshuarit është marrë masa e ndalimit për 48 orë.

Në rastin e dytë, një zyrtar policor ka vërejtur një person të dyshuar që po konsumonte marihuanë në veturë.

Pas kontrollit të kryer, janë gjetur dy qese dhe një cigare me marihuanë me peshë të përgjithshme prej 108.4 gramë. Edhe për këtë rast, është realizuar bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, por nuk janë gjetur prova shtesë.

Pas procedurës së standardizuar, ndaj të dyshuarit është iniciuar një rast për “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”, dhe ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

 

Të ngjashme