Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se shumica e shqiptarëve besojnë se vendi është në drejtimin e duhur dhe këtë e tregojnë edhe sondazhet e fundit për zgjedhjet e 11 majit.
Në një takim elektoral në Kukës, Rama u ndal tek arritjet dhe sfidat për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
“Në rrugën drejt 11 majit e kemi parë të arsyeshme që të ndajmë me njerëzit dhe përmes këtyre takimeve të ndajmë me publikun e gjerë, disa fakte, disa shifra, disa të dhëna që janë pasqyrë e transformimit të këtyre viteve, por që përndryshe nuk ke ku i shikon në pasqyrat tona mediatike”, u shpreh Rama.
Kryeministri e konsideroi këtë një problem të madh, pasi sipas tij, “shumëçka që ka të bëjë me zhvillimin, transformimin dhe përmirësimet e vazhdueshme të vendit nuk gjen pasqyrim në ato kanale apo portale prej të cilave njerëzit informohen”.
“Prandaj nuk është fare çudi kur ndodh siç po ndodh këto javët e fundit kur të gjitha sondazhet na japin fitues në një avantazh të madh nga të tjerët. Shumica e shqiptarëve besojnë tek ne, besojnë se vendi është në drejtimin e duhur, shumica e shqiptarëve besojnë se përmirësimi do të vazhdojë dhe ekonomia e tyre do të jetë më mirë”, tha Rama.
Por Rama, tha se këto fakte nuk pranohen nga ata që komentojnë në studio.
“Ata në studio që e komentojnë e kanë të pamundur t’i pranojnë këto fakte të thjeshta të perceptimit të opinionit publik dhe fajësojnë popullin duke u shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë që nëse shumica e mendon kështu, populli është i sëmurë, i çmendur, i blerë, i shitur, i trembur. Por nuk ndalen të mendojnë se mos ndoshta janë ata që gabojnë dhe jo populli”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “janë ata që jetojnë në një pikë të shkëputur nga realiteti dhe janë ata që kanë krijuar në mënyrë të vazhdueshme një ide dhe një imazh te i cili besojnë po vetë”.
Ndërkohë, Rama tha se “Shqipëria pa diskutim ka probleme, ka tema të rëndësishme ekonomike e sociale për të trajtuara dhe për të adresuar, por është një vend krejt tjetër nga ai që ekspozohet dhe komentohet nëpër kanalet ku normalisht publiku duhet të informohet, por në fakt keqinformohet dhe dezinformohet”./atsh.al
Gjermania përjashton njohjen e shtetit palestinez në “të ard...
Herolind Shala ndër të ftuarit e Inter Miamit në titullin ka...
‘Zarf i kuq’ në Big Brother VIP Kosova 4
Krimet e luftës, këtë muaj nisin dy procese gjyqësore ndaj 6...
Celta Vigo ia thellon krizën Real Madridit, e mposht midis &...
Napoli fiton derbin me Juventusin – vazhdon lidershipi...