Hyrja e Durrësit, një aks 1,3 km i gjatë që do të rindërtohet tërësisht

17:41 | 21 Prill 2025
D.H

Në qytetin e Durrësit janë hapur kantiere të reja ku po punohet për modernizimin e infrastrukturës urbane, duke përmirësuar aksesin në rrugë e segmente të rëndësishme në qytet.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e vijoi vizitën e tij në kantierin e sapohapur të hyrjes së Durrësit, një aks 1,3 km i gjatë që do të rindërtohet tërësisht, duke nisur nga nyja e Shkozetit, deri te Stacioni i Trenit në qendër të qytetit. Projekti parashikon të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës rrugore: shtresat asfaltike; ndriçim, brez i gjelbër; korsi biçikletash; korsi për lëvizjen e mjeteve duke i dhënë një pamje krejt tjetër portës tokësore të Durrësit.

“Jemi te një kantier që sapo e kemi filluar, tek “Ura e Dajlanit”. Do të rikonceptohet komplet aksi, gati 1,3 km që nga nyja e Shkozetit, rotonda atje dhe deri te Stacioni i Trenit në qendër të qytetit. Puna ka filluar me rifiniturat e pjesës ekzistuese, por edhe për të zgjidhur problematikën e përmbytjeve që ka zona e plazhit. Kemi bërë një diskutim, që të bëjmë një propozim për të marrë dhe ujërat e zonës së plazhit, në rastet që ka reshje të shumta. Gjithë aksi konsiston në rehabilitimin e sistemit të ndriçimit, pjesa asfaltike është në rregull. Do të shtojmë korsitë e biçikletave, gjelbërimin, do bëjmë ndriçimin e komplet aksit sepse është hyrja kryesore e qytetit të Durrësit dhe vjen si rrugë paralele me rrugën e Portit që është ndërtuar në 2015 me fondet e qeverisë shqiptare. Ishte shumë investim i domosdoshëm, jo vetëm për të zgjidhur problematikat teknike të rrugës, por edhe për të ndryshuar prezantimin e përgjithshëm të qytetit sepse është në nyjen kryesore. Punimet do t’i fokusojmë në këtë aks, se gjithë rruga deri sa lidhet me plazhin, do përdoret nga “Giro d’Italia”, aksi do të jetë për çiklistët dhe nuk e bëjmë dot kantier ndërtimi, por pas datës 9 do vijojmë punën me pjesën kryesore”, tregoi lidhur me projektin kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.

Ndërkohë, Rama kërkoi që me zbatimin e projektit të përcaktohen qartë edhe hapësirat e lëvizjes së qytetarëve dhe ato të bizneseve.

“Duhet të vendosen kufij dhe duhet ndarë, çfarë është e njerëzve është e njerëzve, çfarë është e bizneseve është e bizneseve”, u shpreh ai.

“Këtu kalon dhe pjesa e hekurudhës, ku punimet kanë avancuar. Lidhja e këmbësorëve bëhet përmes kësaj urës ekzistuese që është bërë me rilindjen urbane, kjo do jetë për përmirësimin e fluksit të lëvizjes së mjeteve”, u shpreh Sako, duke ecur përgjatë zonës ku do të zbatohet projekti./atsh

Shpërndaje në rrjete sociale