Kryeministria: Incidenti me telefonatën dëshmon se Rusia e ka cak Kosovën

21:50 | 26 Mars 2025
E.G

Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar pas raportimit ku thuhet se kryeministri Albin Kurti ka rënë pre e mashtrimit të dy komedianëve rusë “Vovan & Lexus”, të cilët e publikuan një video në kanalin e tyre në platformën “rumble”.

Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve.

Në reagim thuhet se për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate.

“Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.”, thuhet në reagim.

“Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private.”, thuhet tutje në reagim./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme