Krasniqi: Kauza e Bacës Bajram mbetet amanet i përjetshëm

11:36 | 24 Shkurt 2025
E.H

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Bajram Qerkinit, drejtor i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur.

Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi tha se Bacë Bajrami ishte fuqia e prindërve në pritje dhe zemra e një populli që ende pret drejtësi, përcjell Arbresh.info.

“Me dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen e Bacës Bajram Qerkini. Ai nuk ishte thjesht Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve” – ai ishte fuqia e prindërve në pritje dhe zemra e një populli që ende pret drejtësi. Baca Bajram nuk i gjeti kurrë eshtrat e djalit të tij, Reshatit. Ai jetoi me atë dhembje dhe e shndërroi në forcë, në këmbëngulje, në një betejë të pandalshme për të vërtetën, kujtimin dhe drejtësinë”, ka shkruar Krasniqi.

Ndër të tjera, Krasniqi tha se kauza e Bacës Bajram mbetet amanet i përjetshëm.

“Kauza e Bacës Bajram, ashtu si edhe e qindra bashkëkombësve tanë të tjerë, mbetet amanet i përjetshëm. Nuk do t’i harrojmë ata që mungojnë dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ta.I lehtë të qoftë dheu i Kosovës. Pusho në paqe, Bacë”, tha Krasniqi./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme