Rrjedhja e dokumenteve të klasifikuara sekret mbi Gazën që përfshin ndihmësin e kryeministrit Benjamin Netanjahu ka tronditur politikën izraelite si dhe ka zemëruar familjet e pengjeve që mbahen nga Hamasi, të cilët kanë kërkuar një marrëveshje për t’i kthyer të afërmit e tyre në shtëpi.
Një prej gjykatave izraelite që po shqyrton çështja tha se burimet e sigurisë ishin komprometuar dhe mund të ketë dëmtuar përpjekjet e Izraelit për lirimin e pengjeve.
“Informacionet e klasifikuara dhe të ndjeshme të inteligjencës u morën në mënyrë të paligjshme nga sistemet e IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit)”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Magjistraturës Rishon Le-Zion, e cila shton se mund të jetë shkaktuar “dëm serioz në sigurinë e shtetit dhe ka shkaktuar rrezik për burimet e informacionit”.
Sipas gjykatës rrjedhja e informacioneve mund të ketë dëmtuar përpjekjet për lirimin e pengjeve.
Netanjahu ka mohuar çdo keqbërje nga punonjësit e zyrës së tij dhe tha se ai ishte vënë në dijeni për dokumentin e zbuluar vetëm nga media.
Katër të dyshuarit – njëri zëdhënës nga rrethi i Netanjahut dhe tre prej tyre anëtarë të institucionit të sigurisë – nuk kanë pranuar të flasin.
Detajet nga dokumenti në fjalë u publikuan nga gazeta gjermane Bild më 6 shtator, sipas gazetës izraelite Haaretz.
Artikulli, i etiketuar si ekskluziv, supozohet se përshkruan strategjinë e negociatave të Hamasit, grupit militant islamik palestinez që Izraeli ka luftuar në Gazë për më shumë se një vit.
Rreth asaj kohe, Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti po ndërmjetësonin bisedimet e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, që do të përfshinin një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gazë.
Lufta në Gazë shpërtheu pasi militantët e udhëhequr nga Hamas sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 251, sipas të dhënave izraelite.
Ofensivat hakmarrëse të Izraelit kanë vrarë më shumë se 43,000 palestinezë dhe kanë e shndërruar pjesën më të madhe të Gazës në gërmadha.
/rtsh.al/
Irani pranon negociata me SHBA-në, por vetëm pa kërcënime dh...
Nika u drejtohet prindërve të viktimës: Ju shpreh ngushëllim...
Pacolli ndan pamje nga një fluturim mbi Alpet zvicerane
Dy gjigantët evropian pas Leon Avdullahut
Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Glauk Konjufcës për he...
Vijojnë kërkimet për gjetjen e 31-vjeçarit në lumin Mazt, FS...