Mbi 5 mijë euro do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit mëditjet e anëtarëve të Komisionit Hetimor për Rezervat bashkë me tre ekspertët e angazhuar nga ta. Megjithëkëtë, ky komision përfundoi mandatin pa asnjë rezultat. Përveç përplasjeve pozitë-opozitë, komisioni dështoi të kryejë punën për çka ishte themeluar.
Për gjashtë muaj deputetët u mblodhën disa herë, por përveç përplasjeve pozitë-opozitë, agjenda e këtij komisioni nuk arriti të shtyhej para.
Në të dhënat që RTK ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës, anëtarët e këtij komisioni deri më tani janë paguar vetëm për mbledhjet e mbajtura në shkurt. Gjatë shkurtit, kryetari i komisionit Rashit Qalaj nga radhët e PDK-së, mori 540 euro mëditje, nënkryetarja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi 450 euro, Pal Lekaj i AAK-së mori mëditje 270 euro, Ferat Shala i PDK-së dhe Doarsa Kica Xhelili e LDK-së, 180 euro, ndërsa Erxhan Galushi nga Lëvizja Përparimtare e Romëve, 135 euro. E që gjithsej i bie se 1,755 euro për vetëm një muaj.
E nga mëditjet hoqën dorë deputetët e LVV-së, Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Metaj-Isufi, Halil Thaçi e Salih Zyba.
Ndërkaq, nga një mijë euro do të paguhen tre ekspertët e angazhuar për këtë komision.
Për mbledhjet e tjera të mbajtura gjatë marsit, ende nuk është marrë një vendim sa u përket mëditjeve.
Pasi dështuan në atë që ishin të thirrur, pozita e opozita fajin po ua hedhin njëra-tjetrës.
“Faktikisht kemi dështuar si komision thjesht për shkak të një qëndrimi politik të LVV-së, i cili ka qenë kundër çdo hetimi për rezervat shtetërore”, tha Rashit Qalaj, deputet i PDK-së.
“Mendoj se kanë bërë lojëra politike dhe jam i bindur se diçka po fshihet. Ajo çfarë mund të them është se kanë qenë pengesë e të gjitha proceseve në këtë komision”, tha Pal Lekaj, deputet i AAK-së.
Por akuzat e opozitës i quajti të pabaza deputeti i LVV-së, Driton Hyseni. “Me bindje të plotë iu them se angazhimin tonë si deputet të pozitës e kemi pasur shumë përmbajtësor dhe të dedikuar për ta bërë punën tonë, aq sa na takon si deputet”, tha Hyseni.
E ata që përcollën punën e këtij komisioni fajësojnë të dy boshtet për dështim.
“Komisioni nuk ka arritur as të fillojë fazën e zhvillimit të hetimeve, e lëre më të zhvillojë punë paksa më cilësore apo përmbajtësore, në kuptim të zhvillimit të hetimeve. Platforma e komisionit nuk është përdorur në formën adekuate ose është keqpërdorur nga dy blloqet e deputetëve”, tha Arbër Thaçi, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës.
Opozita ka njoftuar se Kuvendi i Kosovës tashmë u ka hedhur poshtë kërkesën për vazhdim të mandatit të këtij komisioni.
“Pas Gjestit edhe Gimbo nën arrest?”, Selin nuk ...
Kos do t’u përgjigjet eurodeputetëve lidhur me akuzat për ba...
DnV kundërshton vendimin e Osmanit për anëtarët e KQZ-së
Arrestimi i të rinjve shqiptarë në Beograd, Berisha: Të liro...
Hiqet kufizimi për kualifikimet arsimore në pensionet kontri...
Peci: Unë rekomandova që billbordi i Thaçit dhe Veselit mos ...