Grabovci: Absurde të mendohet se ne organizuam komplot ndaj Limajt

17:38 | 5 Prill 2015
M. A.

Partia Demokratike e Kosovës është e qetë dhe nuk u frikësohet shkrimeve për komplot ndaj kryetarit të Nisma për Kosovën Fatmir Limaj.

Nënkryetari i PDK-së Adem Grabovci, thotë se kurrë nuk do të ketë asnjë argument se PDK ka provuar të bëjë ndonjë komplot për dënimin e Limajt, madje thotë se ato që janë shkruar janë krejt të dukshme dhe të paprekshme.

Ndërsa, ai i ka quajtur gabim të madh deklaratat e bashkëpartiakut të tij Bajram Rexhepi, duke thënë se ai është personi që ka përfituar më së shumti nga PDK-ja, duke qenë kryeministër, kryetar i Mitrovicës dhe dy mandate ministër.

Grabovci flet edhe për Gjykatën Speciale, për të cilën thotë se nuk i frikësohen, derisa ka ftuar të gjithë që me fakte dhe argumente të dëshmojnë luftën e drejtë të popullit të Kosovës dhe UÇK-së.

Ndërsa, rreth shkuarjes apo jo të Forcave të Armatosura të Kosovës në veri, Grabovci thotë se ushtria e Kosovës do ta kryej obligimin e vet kushtetues e ligjor që të shkel në gjithë territorin e Kosovës por duhet edhe ta respektoj marrëveshjen me NATO-në.

Ish-zëvendësministri i Transportit dhe Post-Telekomit, Adem Grabovci, në kohën kur Fatmir Limaj ishte ministër, thotë se është absurde të mendohet se PDK-ja ka tentuar të organizojë komplot për ta dënuar Limajn, derisa ndihen të qetë dhe nuk frikësohen se dikush mund të ketë argumente për këtë.
“Unë po e them, jo që nuk frikësohet, por është absurde vetëm të mendohet diçka të tillë, e leje që mund të bëhet fjalë për diçka të tillë. Absolutisht, këto mund t’i lansoj dikush me qëllime të caktuara me prapavija të ndryshme, megjithatë, PDK, unë si pjesëtar i saj, si një nga njerëzit me përgjegjësi, absolutisht e ndijë vetën shumë komod, shumë të sigurt dhe shumë mirë me punën, me angazhimet e PDK-së.”, tha Grabovci

Nënkryetari i PDK-së, gjithashtu, thotë se nuk kanë nevojë të merren me diçka të padukshme dhe të paprekshme. Madje, sipas tij, PDK, kur është në pyetje Limaj, ka respekt për të kaluarën e tij, kontributin që ka dhënë në të gjitha periudhat kohore gjatë kohës sa kanë qenë bashkëpartiak.

Ndërsa, duke komentuar deklaratat e bashkëpartiakut të tij, Bajram Rexhepi, se SHIK-u ka kapur PDK-në dhe institucionet, Grabovci i ka quajtur të gabuara sepse është njeri prej njerëzve që më së shumti ka përfituar nga PDK-ja.
“Do ta quaj gabim për të gjithë ata që kanë përfituar shumë nga PDK-ja, dhe njëri ndër njerëzit që ka qenë shumë i respektuar është Bajram Rexhepi. Duke filluar nga mandati i kryetarit të Mitrovicës, të qenit kryeministër i vendit është nder i jashtëzakonshëm dhe të qenit dy mandate si ministër, prandaj nuk janë pak. Asnjëri prej neve nuk kemi lindur që të jemi të përjetshëm në një përgjithësi ku na caktohet. Është qytetari i Kosovës ai që vlerëson punën tonë.”, tha Grabovci.

Pavarësisht këtyre deklaratave, sipas tij, PDK është unike, ka një lider që aktualisht nuk ka lider tjetër, është i pakontestueshëm dhe është i respektuar nga të gjitha nivelet e PDK-së.

Pos tjerash, nënkryetari Grabovci flet edhe për shkuarjen e Forcave të Armatosura të Kosovës në veri, duke thënë se FAK-u do të shkojë në gjithë territorin e Kosovës, sepse kështu e ka të obliguar me ligj dhe Kushtetutë.
“Unë thash që ushtria e Kosovës duhet të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe ushtrisë së Kosovës i garantohet dhe ka obligim të shkel në krejt territorin e Kosovës, dhe absolutisht nuk ka pse frikësohet, duhet të frikësohet atëherë si ushtria por edhe çdo qytetarë kur bënë shkelje të ligjit kur nuk respekton Kushtetutën.”,theksoi Grabovci.

Megjithatë, sipas tij, duke qenë se tashmë formimi i Forcave të Armatosura është punë e kryer, duhet të respektohen edhe marrëveshjet që kanë me NATO-n, sepse ushtria e Kosovës synon të jetë anëtare e saj brenda pak kohëve dhe se NATO ka dhënë kontribut të madh në formimin e kësaj force.

Ndërsa, duke folur për Gjykatën Speciale, Grabovci thotë se ata nuk i frikësohen asaj meqë lufta e UÇK-së dhe popullit shqiptarë ishte e drejtë dhe çlirimtare.
“Ne nuk kemi nevojë t’i frikësohemi dhe nuk i frikësohemi asnjë lloj gjykate, përkundrazi ajo që kërkojmë ne dhe që duhet të ndodh dhe presim të ndodh që vërtetë të kemi një proces të drejt, të kemi drejtësi të pandikuar, por vërtetë që i merr për bazë argumentet dhe argumentet janë në anën tonë.”, u shpreh ai.

Sipas tij, dihet qartë se kush ka bërë krime në Kosovë, por edhe ndaj popujve tjerë, si në Kroaci, Bosnjë e Slloveni.

“Në Kosovë është absurde të mendohet për krime të luftës, e aq më tepër të akuzohet dikush për krime të luftës. Një gjë duhet ta kemi të qartë se kush ka kryer krime lirisht mund të themi edhe gjenocidë, që nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe së fundi në Kosovë, është shumë e qartë ka qenë regjmi i Millosheviqit, që fatkeqësisht edhe sot mbeturinat e atij regjimi janë në skenë, dëgjohet fjala e tyre, dhe mund të konstatojmë dhe të themi se ende kanë mbetur pa u ndëshkuar kryerësit e këtyre krimeve mizore që kanë ndodhur jo vetëm kundër popullit shqiptarë por edhe gjithë popujve të tjerë”, tha Grabovci.

Ai shtoi se është shumë i sigurt se sikur në të kaluarën edhe tash cilido proces të organizohet dhe të ndodh do ta dëshmojnë të njëjtën gjë, pastërtinë e luftës së popullit shqiptarë, pastërtinë e luftës së UÇK-së, si një luftë të drejtë çlirimtare./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale