Shqipëria merr Raportin e Progresit, prioritet lufta kundër korrupsionit

13:27 | 9 Nëntor 2023
A Z

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca i ka dorëzuar Qeverisë shqiptare Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ku kërkohet luftë më e theksuar ndaj korrupsionit, si dhe bashkëpunim ndërmjet mazhoranca dhe opozitës në Kuvend, për të përfunduar reformën elektorale. Ky raport nga Tirana zyrtare konsiderohet më i mirë i bërë gjatë viteve të fundit.

Soreca së bashku me zëvendëskryeministren Belinda Balluku shpalosën raportin e BE-së për progresin e Shqipërisë në agjendën evropiane.

“Kjo paketë vjen në një kontekst të veçantë që bazohet në dy zhvillime të rëndësishme politike. Së pari, zgjerimi është kthyer sërish në agjendën politike të BE dhe në një mjedisin jopolitik që ndryshon shpejt, për të cilin BE ka punuar fuqimisht bashkë me partnerët më të rëndësishëm, duke përfshirë veçanërisht Shqipërinë…Komisioni e njeh që Shqipëria ka vazhduar të bëjë proces në reforma, duke përfshirë reformën në drejtësi. Ne njohim plotësisht rolin që Shqipëria ka luajtur në këshillin e sigurimit jo vetëm në përgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë por Shqipëria mbetet një partner i besueshëm për integrimin në BE”, tha Soreca.

Raporti thekson se zgjedhjet kanë qenë të mirë organizuara, por ngre shqetësime për keqpërdorimin e resurseve shtetërore dhe presione ndaj votuesve.

“Mesazhi kryesor është që dialogu konstruktiv dhe gjithëpërfshirës për reformën elektorale duke trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR”, theksoi ai.

Më tej Soreka kërkoi që të vijohet me reformën në drejtësi.

“Vlerësojmë avancimin e procesit të vetingut dhe përfundimin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për efikasitetin e sistemit të drejtësisë”, përfundoi ai.

Ndërsa zëvendëskryeministrja Belinda Balluku e cilësoi raport progresin e KE-së për Shqipërinë si më pozitivin.

“Shqipëria mbetet e vendosur të vazhdojë rrugën e reformave të thella në të gjitha fushata për të përmbushur gjithë kriteret dhe standardet e BE por dhe për të arritur mirëqenien e çdo qytetari shqiptar”, tha ajo, transmeton RTSH.

“Me kënaqësi të madhe them se raporti është më pozitiv hartuar ndonjëherë për vendin tonë dhe që përfaqëson në mënyrë të drejtpërdrejtë ecurinë shumë të mirë për reformat e thella që ne kemi ndërmarrë dhe rezultatet e tyre konkrete në forcimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit,” theksoi Balluku./rtk

Të ngjashme