Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për dy javë nuk morën pjesë në seancën e jashtëzakonshme për shqyrtimin e propozim-rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë. Ky bojkot, por edhe ai punimeve në komisione parlamentare po vlerësohet praktikë jo e mirë nga politologë e monitorues të punë së Kuvendit, të cilët thonë se deputetët duhet të përfaqësojnë qytetarët.
Njëjtë si më 12 tetor, edhe seanca e jashtëzakonshme e 19 tetorit, e thirrur nga opozita, për shqyrtimin e propozim-rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, dështoi në mungesë kuorumi. Në të dy rastet punimet u bojkotuan nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Për disa javë, shumica bojkotoi edhe punimet e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme, çka pamundësoi konstituimin e këtij komisioni.
Mos pjesëmarrja e deputetëve të shumicës në seanca plenare dhe punimet e komisioneve parlamentare po konsiderohet praktikë jo e mirë.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes “Fol”, organizatë që monitoron punimet e legjislativit, thotë se është për habi bojkotimi i punimeve nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë në Kuvend.
“Konsideroj se bojkotimi i seancave dhe mbledhjeve të komisioneve të ndryshme në kuadër të Kuvendit të Kosovës nuk i kontribuon demokracisë. Por, në raste të tilla më shumë bie barra te deputetët e partisë që kanë shumicën në Kuvend. Bojkotimi s’është zgjidhje. Zgjidhje është pjesëmarrja, diskutimi dhe konstruktiviteti që duhet të kenë deputetët e pozitës, por edhe ata të opozitës”, tha ajo.
Ndërsa, politologia Arta Tahiri-Beqa, pohon se zakonisht në Kosovë e jo vetëm, braktisja e punimeve të Kuvendit praktikohet nga opozita, por të ndodhë kjo nga shumica parlamentare, është diçka e rrallë! Tutje, ajo thotë për Radio Kosovën se kjo po bëhet për qëllime politike, ndonëse mund të jetë jo në të mirë të qytetarëve.
“Mendoj se tashmë janë duke u bërë disa kalkulime politike nga të dyja palët pozitë-opozitë, për të pamundësuar arritjen e qëllimeve politike të njërës ose tjetrës. Mazhoranca duke pasur besueshmërinë e shumicës së qytetarëve, duhet të jetë pjesë e çdo komisioni dhe çdo seance në të mirë të qytetarëve. Jo vetëm këta, por çdo deputet i cilësdo parti qoftë në pushtet apo jo duhet të jetë pjesë e çdo seance, për të përmbushur obligimet që kanë ndaj qytetarëve”, tha ajo.
Ndryshe nga deputetët e pozitës, me mospjesëmarrjen në votim, prej javësh, deputetët e opozitës po pamundësojnë ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për çka duhet të votojnë 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Ndalohen tre persona për veprën penale ‘Lëndimi i leht...
Komuna e Prishtinës ndëshkon “Ujësjellësin”: Ndërhyrjet e pa...
Ndalohet për 48 orë një person pas vdekjes së punëtorit në v...
Pamjet e 50-vjeçarit me armën lodër, intervistohet i dyshuar...
Nxori armën nga çanta dhe shtiu, një muaj paraburgim ndaj Bu...
15 ditë vendimtare, marrëveshje ose zgjedhje të reja