Deputetja britanike, Alicia Kearns thotë se ka pranuar kërcënime, pas deklaratës së saj, ku tregoi që Kisha Ortodokse Serbe po furnizohet me armatim nga Serbia, përmes auto-ambulancave. Në një intervistë për Radio Kosovën ajo thotë se nuk do të hesht nga kërcënimet që i ka bërë presidenti serb Aleksandër Vuçiq për nisjen e hetimeve ndaj saj. Kearns i quan të nxituara politikat e SHBA-së dhe BE-së, për Kosovën , pas përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.
Radio Kosova: Znj. Kearns ju tashmë jeni mjaft e njohur duke mbrojtur shqiptarët. Fillimisht kam një pytje më përmbledhëse. Ka më shumë se një vit që kur Rusia ka pushtuar Ukrainën. Si mendoni deri ku ka arrit ndikimi i Rusisë në Ballkan, përmes Serbisë, e sidomos në Kosovë? A ka Rusia ndikimin në Kosovë?
Alicia Kearns: Mendoj që punë është të jemi zëri i të gjithë atyre, që të tjerët mundohen ti pushojnë. Jam shumë e shqetësuar për mënyrën e përhapjes së ndikimit të Rusisë dhe Kinës, në Ballkan. Nuk ka asnjë dyshim që mediat ruse kanë punuar në mbështetje të Beogradit. Siç e patë Serbia nënshkroi një marrëveshje partneriteti të politikës së jashtme me presidentin rus Vlladimir Putinin në shtator të vitit të kaluar dhe kjo ka ndodhur disa muaj pas pushtimit të Ukrainës, nga Rusia. Dhe padyshim që të nesërm pamë raportet e qeverisë belge, e cila ishte detyruar të ndalonte eksportimin e armëve në Serbi, sepse ata besonin se ato po i jepeshin Rusisë. Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve lidhur me atë se pse Rusia ka një marrëdhënie kaq të ngushtë me Serbinë, por gjithashtu edhe pse Serbia, e cila duhet të bashkohet me BE në të ardhmen, po zgjedh të mbetet kaq pranë Putinit.
Radio Kosova: Znj. Kearns, Serbia është duke mbajtur një pozicion të ndërmjetëm. Në njërën anë është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosë sanksione ndaj Rusisë, pra ka marrëdhënie të ngushta me Rusinë, por në anën tjetër ka marrëdhënie të mira edhe me Bashkimin Evropian.
Alicia Kearns: Unë ende kam shpresa të madhe se Serbia do të zgjedhë të përqafojë të ardhmen e saj evropiane dhe do të zgjedhë të trajtojë çështjet që i duhen për anëtarësimin në BE. Por aktualisht zgjedhjet të cilat po i bënë, duke mos vendosë sanksione kundër Putinit, pas një pushtim brutal në Ukrainë, ku gratë, vajzat dhe burrat po vriten çdo ditë, vendimi i tyre për të vazhduar furnizimin me armë Putinin dhe vendimet e Serbisë për të mos vepruar në mënyrë domethënëse, por në fakt duke ndërtuar marrëdhënie më të thella Putin gjatë kësaj kohe, më shqetëson sepse ajo që duam në Ballkan është stabiliteti. Ne duam që të gjithë pavarësisht prejardhjes së tyre etnike të ndihen rehat, të ndihen të lumtur dhe të përfaqësuar. Por derisa Putini vazhdon të ketë një ndikim të tillë mbi Beogradin dhe marrëdhënie të ngushta, unë shqetësohem se Serbia nuk do të sigurojë rrugën të cilën e duan qytetarët e saj, e cila është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Radio Kosova: Znj. Kearns së fundmi kemi pasur tensione në veri të Kosovës, ku janë katër komuna të cilat janë të banuara nga komuniteti serb. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë akuzuar qeverinë e Kosovës se ka vepruar në mënyrë të njëanshme, duke mos u koordinuar me aleatët ndërkombëtarë. Si e vlerësoni këtë ?
Alicia Kearns: Është absolutisht jetike që qeveria e Kosovës të ketë lidhje dhe të punojë me KFOR-in, të cilët janë në Kosovë, për të parandaluar konfliktin dhe për të shpëtuar jetë. Sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it janë të papranueshme. Ajo që duhet të shohim në veri të Kosovës është se të gjithë, serbët apo shqiptarët, të ndihen krejtësisht rehatshëm dhe të lirë për të jetuar në këtë pjesë të Kosovës dhe natyrisht ata duhet të ndihen se janë të përfaqësuar. Pra, një nga pyetjet e mia drejtuar kryeministrit Albin Kurti, në takimin tonë të fundit, ishte se çfarë jeni duke bërë për të mbështetur serbët e Kosovës dhe poashtu kam pyetur edhe qeverinë britanike se çfarë po bëjnë për të mbështetur serbët e Kosovës, që edhe ata të mund të jetojnë të qetë . Megjithatë reagimi nga qeveria e SHBA-së dhe BE-së deri tani ka qenë krejtësisht i përshpejtuar dhe aspak i balancuar. Nuk është e pranueshme të nxirret Kosova nga një stërvitje e përbashkët, DEFENDER 2023, sepse ata donin që kryetarët e komunave të vendoseshin në ndërtesat zyrtare të komunave, sepse ata janë kryetarë të cilët janë zgjedhë në mënyrë të ligjshme,e në anën tjetër i lejohet Serbisë të marrë pjesë në këto stërvitje ushtarake, derisa kjo e fundit mbante peng tre oficerë të policisë të cilët ishin marrë në territorin e Kosovës. Kjo për mua është shembulli më i mirë se ku po dështojnë lidhur me diplomacinë . E tëra që dikush në Kosovë dëshiron është që njerëzit të jetojnë jetën e tyre të qetë dhe t’i japin fund tensioneve . Dhe kjo është ajo ku komuniteti ndërkombëtar po dështon gjithashtu aktualisht.
Radio Kosova: Bashkimi Evropian së fundmi ka vendosur masa (sanksione) ndaj Kosovës. Mendoni që ka standarde të dyfishta në këtë rast. Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka thënë se disa grupe të serbëve lokalë, të ndikuar nga Qeveria e Serbisë, kanë rezistuar duke mos respektuar vendimet e qeverisë së Kosovës. Si i shihni këto veprime ?
Alicia Kearns: Nuk i mbështes veprimet e BE-së apo SHBA-së në javët e fundit. Siç thashë, ata janë disproporcionalë dhe nuk janë të ekuilibruar dhe për këtë arsye nuk janë në të mirë të paqes. Dhe sinqerisht, problemet rreth zgjedhjeve në veri të Kosovës shihen si ndërhyrje e Serbisë në zgjedhjet e brendshme të Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk do të duhej të kishte thirrur serbët lokalë për bojkotim të zgjedhjeve. Jam e kënaqur që kryeministri Albin Kurti është zotuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri. Është e qartë për mua se ai është gjithashtu i hapur për të përmbushur të gjitha angazhimet e kërkuara prej tij nga BE. Ajo që na duhet tani është të sigurohemi që gjërat të shkojnë përpara pa ndërhyrjen e huaj, por BE dhe SHBA duhet të shohin me kujdes dhe të sigurohen se ato janë vërtet të ekuilibruara sepse kjo nuk është ajo që kam parë deri tani.
Radio Kosova: Znj. Kearns ju keni akuzuar Kishën Ortodoske Serbe se ka ndihmuar në kontrabandimin e armëve në veri. Madje për këtë ka reaguar edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq. Si e shihni këtë?
Alicia Kearns: Mendoj që kjo tregon shumë, kur president i një vendi ndjen nevojën për të kërcënuar një politikane të huaj, për ndarjen e informacioneve të shërbimeve të inteligjencës së atij vendi, i cili i ka ndarë ato informata me ushtrinë e tyre. Nuk do të hesht nga dikush që përpiqet të më frikësojë. Dhe mendoj se thotë gjithçka që ai ndjen nevojën për të kërcënuar politikanët e huaj.
Radio Kosova: Znj. Kearns a keni marrë kërcënime tjera pas këtyre deklaratave?
Alicia Kearns: Kam marrë kërcënime të tjera përtej komenteve të presidentit Vuçiq se ai do të fillojë hetime kundër meje. Më duket interesante që ai më ka akuzuar mua se unë kam marrë të holla nga i ashtuquajturi lobi mysliman apo shqiptarë, ashtu siç duket e quajnë edhe mbështetësit e tij. Unë nuk mendoj se ai është i vetëdijshëm se politikanët britanikë, nuk marrim para nga njerëzit, kjo nuk është mënyra se si sillemi ne. Përdorimi i gjuhës nga shumë mbështetës të tij, se unë jam lobiste myslimane, mendoj se tregon, që ata kanë urrejtje në zemrat e tyre, se ata përsëri duan të tërheqin më shumë ndarje etnike brenda Kosovës dhe në mbarë Ballkanin. Gjithçka që duam të bëjmë është të zvogëlojmë tensionet .Besoj se jam një nga politikanët e vetëm anembanë botës që ka pyetur se çfarë mund të bëhet më shumë për të mbështetur këto komunitete. Por nuk do të hesht nga dikush që mendon se mund të kërcënojë politikanë të tjerë.
Radio Kosova: Znj. Kearns, ne kemi një dialog që zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë, që nga viti 2013. Viteve të fundit kemi parë angazhim edhe më intensive të faktorit ndërkombëtarë përfshi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por që nga viti 2013 nuk duket që kemi lëvizë shumë. Si mendoni që duhet të veprohet më tutje, në mënyre që të arrijmë një marrëveshje finale me dy vendeve?
Alicia Kearns: Është një proces shumë i qartë që është përcaktuar. Një proces për të cilin kanë rënë dakord të dyja vendet, ndonëse tani ka disa që pretendojnë se nuk mund të nënshkruajnë marrëveshje sepse i kanë duart e lidhura. Realiteti është se është arritur një marrëveshje. Dhe tani të dyja vendet duhet të përmbushin angazhimet e tyre. Kur jam takuar me kryeministrin Albin Kurti, ai ka qenë shumë i qartë se është i gatshëm t’i përmbushë këto angazhime. Ai është një partner demokratik, një partner që na ka qëndruar pranë kur bëhet fjalë për luftën në Evropë dhe një partner që ka pranuar të realizojë ato që i janë kërkuar. Ne tani duhet të ecim përpara dhe ta bëjmë këtë sepse nuk është në interesin e askujt që të ketë më shumë tensione brenda Kosovës. Qëllimi im do të jetë gjithmonë të ndaloj konflikte, të parandaloj humbjen e jetës dhe të sigurohem që të mos shohim asnjë lloj përsëritjeje të urrejtjes, e aq më pak dhunës që pamë në vitet 1990-të.
Radio Kosova: Znj. Kearns ju përmendet konfliktin. A shihni mundësi për të pasur një konflikt në veri të Kosovës, pas tensioneve që i patëm atje?
Alicia Kearns: Shpresoj që jo. Qëllimi im është të sigurohem që të mos shohim kurrë një rinisje të llojit të dhunës dhe mizorive masive të të drejtave të njeriut që pamë në vitet 90-ta. E di që Kosova si vend ende vuan pasojat e luftës për jetët e njerëzve që u vranë atje, për të gjitha ato kujtime që njerëzit humbën gjatë luftës. Por realiteti është që si politikane, puna ime është të sigurohem që të veproj tani për të penguar dhe parandaluar ndonjë konflikt të tillë. Unë nuk do të kërkoj ndjesë që jam e zëshme në do të bëjë gjithçka që mundem për të parandaluar konfliktet, apo edhe nxitjen e urrejtjes .
Radio Kosova: Znj. Kearns dhe në pytje krejt për fund. Në Kosovë kemi një marrëveshje që na obligon që të themelojmë Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe. Në njërën anë kemi Serbinë dhe serbët lokalë, të cilët përmes partisë “Lista Serbe” kërkojnë që ky asociacion ketë kompetenca ekzekutive. Në anën tjetër kemi Qeverinë e Kosovës e cila thotë që asociacionit duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Cila mendoni që është zgjidhja e kësaj çështje që do të ishe e pranueshme për të dyja palët?
Alicia Kearns: Kështu, përfundimisht ëndrra ime do të ishte që të mos kishte kurrë politika të nxitura nga pakicat etnike, nuk do të duhej të kemi as kuota etnike. Mendojë që duhet të jemi në gjendje të kemi besim se njerëzit mund të përfaqësojnë shumë etni dhe prejardhje të ndryshme. Unë jam një grua britanike, deputete e bardhë, por unë do të flas për myslimanët anembanë botës, do të flas për katolikët anembanë botës. Do të flas për të parë njerëzit që janë nga Franca, nga Gjermania, nga Kosova, nga Bosnja, shikoni presidentin e ri boshnjak. Ai përfaqëson shumë etni të ndryshme, prandaj ne duhet të largohemi nga kuotat etnike. Por ajo për të cilën jam e qartë është se për momentin kjo nuk duket të jetë e mundur brenda Kosovës dhe kjo është shumë zhgënjyese. Por nga bisedat e mia me Qeverinë e Kosovës, kam kuptuar që ata janë shumë të gatshëm të realizojnë atë për të cilën është arritur marrëveshja, në kuptimin e asaj se çfarë duhet bërë në veri të vendit, por sigurisht që ato duhet të bëhen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Arrestohet i dyshuari për tentim vrasjen e para një muaji në...
Haradinaj: Kosova dhe Shqipëria në Bordin e Paqes, dritare s...
Trump thotë se Venezuela do të fitojë më shumë para nën drej...
Trump: Evropa nuk po shkon në drejtimin e duhur
Prattipati: Rugova i mësoi botës se guximi e dinjiteti, janë...
Ambasadori francez: Rugova, burrështetas vizionar, arkitekt ...