Rizvanolli fton kompanitë kosovare dhe të huaja të investojnë në ankandin e parë solar në Kosovë

17:38 | 11 Qershor 2023
E.H

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar sot tokën e ankandit të parë solar, tek Guri i Kuq dhe Kramoviku i Rahovecit, ku është mirëpritur nga banorët.

Siç njofton Rizvanolli, kjo tokë që nuk është bujqësore dhe nuk ka qenë më herët në shfrytëzim, tani do të shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike të pastër, përcjell Arbresh.info.

Ajo ka ftuar të gjitha kompanitë kosovare dhe ato të huaja që të invetojnë në këtë ankand.

“Së bashku me Kryetarin e Rahovecit, z. Smajl Latifi, kolegët nga USAID Kosovo dhe disa nga investitorët potencialë, u mirëpritëm nga banorët e zonës në tokën e ankandit të parë solar fotovoltaik të Republikës së Kosovës prej 100MW, tek Guri i Kuq dhe Kramoviku i Rahovecit. Banorët ishin entuziastë për investimin që po vjen dhe të lumtur që kjo tokë jobujqësore që me vite nuk ka qenë në shfrytëzim, tani do të shfrytëzohet për të prodhuar energji elektrike të pastër”, ka shkruar Rizvanolli në rrjetin social Facebook.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që, në bashkëpunim me USAID, të udhëheq një proces konkurrues fer e transparent. Deri tani kemi pasur numër të madh të kompanive të interesuara, përfshirë kompani ndërkombëtare me përvojë e reputacion të lartë. Ftoj të gjitha kompanitë kosovare e ndërkombëtare, dhe mërgatën tonë që të shqyrtojnë dokumentacionin e aplikimit, ta ndajnë me investitorët potencialë dhe të dërgojnë pyetjet eventuale përmes kanaleve zyrtare sipas udhëzimeve”, tha Rizvanolli./Arbresh.info