Çfarë është ‘Defender Europe 2023’?

14:12 | 21 Maj 2023
A Z

Rreth 9 mijë trupa amerikane pritet të marrin pjesë në stërvitjen “Defender 23”, që fillon me 22 maj edhe pse një stërvitje e tillë pritej të fillonte me 22 prill.

Detajet për këtë stërvitje të madhe ushtarake ku marrin pjesë vende anëtare të NATO-s dhe vende të tjera partnere, ishin dhënë me 5 prill në konferencë nga Zëvendës sekretarja për media e Pentagonit, Sabrina Singh.

Ajo pati sqaruar se stërvitja “Defender 23” udhëhiqet nga ushtria amerikane në Evropë dhe Afrikë dhe mbajtja e saj është planifikuar që nga viti 2021.

Sipas Pentagonit, stërvitja është krijuar për të demonstruar aftësinë e ushtrisë amerikane për të vendosur me shpejtësi trupa dhe pajisje të besueshme luftarake për të siguruar aleatët, për të penguar ata që do të kërcënonin paqen e Evropë dhe të mbrojë kontinentin nga agresioni.

Stërvitja synon të tregojë gjithashtu përkushtimin e kombeve evropiane për të rritur shkallën, aftësinë dhe ndërveprimin e ushtrive të tyre.

“Përafërsisht 9 mijë trupa amerikane dhe rreth 17 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere do të marrin pjesë dhe do të jenë pjesë e stërvitjes që do të shtrihen në 10 vende të ndryshme evropiane,” pati deklaruar Singh.

Ajo ishte shprehur se pajisjet për të mbështetur stërvitjen kishin nisur të mbërrijnë në Spanjë, në fillim të muajit prill.

Ndërkohë, rreth 7 mijë pajisje u dërguan nga SHBA për në Evropë. Për më tepër, rreth 13 mijë pajisje të tjera, të nxjerra nga stoqet e të pozicionuara paraprakisht, do të përdoren gjatë “Defender 23”.

Përveç Shteteve të Bashkuara, trupa nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Danimarka, Estonia, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar do të marrin pjesë në “Defender 23”./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale