Bislimi pas takimit: Serbisë po i intereson vetëm Asociacioni, situata në veri s’është trajtu fare sot

19:11 | 15 Maj 2023
Emir Abduramani

Sot në Bruksel është mbajtur takimi i radhës i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas Bislimit dhe Petkoviq, janë diskutuar një sërë temash.

Ky takim kishte në fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.

Bislimi konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e zbatimit e Deklaratës për të Zhdukurit, si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nga nenet nuk mund të kushtëzojnë nenet tjera dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka gatishmëri nga BE-ja që t’i ikë një dokumentin që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publikuar në ueb-faqen e tyre”, tha Bislimi në fund të takimit.

I njëjti potencoi se palës serbe u interesonte vetëm formimi i Asociacionit, para se të vazhdohet me pikat tjera të zbatimit.

“Unë mendoj që rezultati as nuk është dashtë të pritet sot. Është thellim i diskutimeve në mënyrë që ta kem të qartë se ku ndodhemi me procesin dhe se ku duam të shkojmë. Gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes bazike të 27 shkurtit. Pala serbe ka thënë se ne na intereson vetëm pjesa e Asociacionit e pastaj do të flasim për pjesën tjetër. Mirëpo nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që sot të diskutohet. Situata në veri nuk është trajtu fare sot. Mirëpo kanë qenë dokumentet të cilat na i ka sjell zoti Lajçak në vizitën e tij me 11 maj në Prishtinë”, ka thënë Bislimi ndër tjerash.

Deri më tani nuk ka paralajmërime se cilat do të jenë hapat e ardhshëm dhe kur do të takohen sërish Bislimi dhe Petkoviq.

Mbi sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes, zëvendëskryeministri Bislimi u përgjigj se: ‘’Ka dallim mes asaj që ne themi si palë subjektive dhe mes asaj që ne jemi dakorduar. Në Aneksin e Implementimit për të cilin ne jemi dakorduar në Ohër shprehet qartë se asnjë nga nenet nuk mund ta kushtëzojë nenin tjetër dhe të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur dhe poashtu thuhet se palët nuk mund ta bllokojnë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Kjo është për neve udhërrëfyes, ajo çka është dakorduar. Unë nuk besoj që ka gatishmëri nga BE që t’i ikë një dokumenti që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publiku në webfaqen e tyre.’’
Mbi atë se çfarë është pikënisje e diskutimit për zbatimin e pikës 7 të marrëveshjes bazike, u sqarua se: ‘’Tek zbatimi i pikës 7, sot është precizuar nga z. Lajcak se ka qenë gabim teknik ajo që është shfaq në faqen e tij të facebook-ut. Nuk trajtohet si pikënisje drafti, por prezantimi i draftit, akti i prezantimit shënon pikënisjen e diskutimeve për zbatimin e pikës 7, ashtu siç kemi thënë dhe ne disa herë në prononcimet tona publike. Pjesë të tjera janë pastaj ato kriteret për të cilat kemi folur që janë shumë me rëndësi. Nga pala serbe është thënë sot se atyre nuk iu intereson Kushtetuta e Kosovës, nuk i intereson as letra e Mogherini-t, iu intereson vetëm ajo që kanë marrë nga z. Isa Mustafa në vitin 2015 dhe z. Petkovic edhe i lexonte atë se çka kanë marrë nga z. Mustafa në vitin 2015, thoshte që kështu e duam ne asociacionin.’’
Mbi takimet e rradhës dhe vijimësinë e procesit, zëvendëskryeministri Bislimi tha se: ‘’Ne nuk e kemi precizuar sot se si do të ecet tutje. Mendoj që Grupi Monitorues nuk mund të takohet pa u dakorduar për termat e referencës. Kjo vlen edhe për Grupin Punues, apo Komitetin e Përbashkët për Personat e Pagjetur. Në draftin e dërguar nga z. Lajcak thuhet që takimi i parë i Komitetit të Përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Pagjetur duhet të realizohet brenda 60 ditëve, që nënkupton jo më larg se fillim apo mesi i muajit korrik. Tash data 28 maj për ne nuk përbën kurrfarë date për të cilën duhet të brengosemi, për arsye se kemi pas një proces demokratik dhe është shumë normale që ky proces demokratik të finalizohet me aktin e emërimit dhe dhënies së betimit nga kryetarët aktual. Ne kemi informuar z. Lajcak për problemet që janë hasur në mënyrë unilaterale nëpër disa ndërtesa në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan e për të cilat ka munguar reagimi i BE-së. Arsyetimi ka qenë se nuk kanë informata të mjaftueshme, por unë mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt pas dërgimit të informatave nga ana e Kosovës për arsye se ne besojmë se EULEX-i duke qenë prezent në Kosovë, është dashur që të gjitha këto informata t’ia bart zotit Lajcak.’’
‘’Unë kam frikë se mesazhi që po dërgohet është i kundërt me atë që dëshirohet. Për aq kohë sa ne themi se inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë këtë si ftesë për tensione. Në njëfarë mënyrë sikur ftesë që nëse doni ta pengoni këtë, duhet të krijoni tensione dhe mendojmë se kjo është shumë e rrezikshme dhe e panevojshme në këtë fazë.’’ përfundoi zëvendëskryeministri Bislimi.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën.

“Kur duhej të bisedonim për çështjet e rëndësishme, siç është zbatimi i mëtejmë i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështja e të pagjeturve, gjegjësisht se çfarë dhe si të bëhet më tutje pas Deklaratës për Personat e Zhdukur, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është liria e lëvizjes, për çështjet që kanë të bëjnë me vetë jetën e serbëve në Kosovë, dhunën institucionale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, e cila ndodh ndaj serbëve çdo ditë, sulmet e Policisë së Kosovës, të shtënat mbi serbët… për këto, Bislimi nuk donte të jepte kurrfarë përgjigjesh konkrete. Gjatë gjithë kohës, me ndërhyrje të ndryshme përpiqej ta bënte të pakuptimtë rrjedhën e dialogut”, u tha Petkoviq gazetarëve.

Para takimit trepalësh, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin.

I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, kishte shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi./Arbresh.info