Ushtari i UÇK-së që djegi flamujt serbë: Kam me i hjekë sa herë t’i qesin

16:02 | 9 Maj 2023
Emir Abduramani

Ish-ushtari i UÇK-së, Kujtim Peci, i njohur ndryshe si Kujtim Boletini, i cili është arrestuar pasi ka hequr flamujt serbë dhe rusë në kodrën e fshatit Zhashë të Zveçanit, ka deklaruar për Arbresh.info se përkundër arrestimit, ai prapë do t’i largojë flamujt serbë nga aty.

Për Arbresh.info, ai ka thënë se edhe më herët e ka bërë të njëjtën, e gjithmonë do të vazhdojë ta bëjë. Për fshatin e tij, Peci tha se është në gjendje ta shkrijë krejt pasurinë e tij.

“Të jeni të sigurtë, kam me i hjekë flamurat sa herë t’i qesin. Është veni jem, nuk kam ku shkoj, i kam vorret e krejt familjarëve atje, jam në venin tem, nuk e lëshoj atë ven. Nuk po shkoj me i hjekë dikun ku s’duhet me i hjekë, ata po m’provokojnë mu, jo unë ata, në fshat temin ai po më provokon. Provokime ka që 24 vjet, në një tjetër ven e patën vendos një flamur 6 metra të madh, edhe atë e kam hjekë. Gjithë do ta bëj, sa i përket fshatit Zhashë, ku të vendosen flamujt serbë, këna me shku me i hjekë. Atë flamur e kam hjekë para tri viteve, ka qenë flamur gjigant. Kush me mu s’u marrë deri tash. Krejt këtë pasuni që e kam e rrafshoj me bager, një metër të Boletinit nuk e jap, se nuk më len varri i Isës, ai aty është i varrost, ai nuk na len rahat, gjaku i tij nuk na len”, tha Peci për Arbresh.info.