Udhëheqësi kinez Xi Jinping siguroi të premten një mandat të tretë pesë-vjeçar, gjë që i hap rrugën qëndrimit të tij të përjetshëm në pushtet, në një kohë sfidash të vështira ekonomike dhe tensionesh në rritje me Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera.
Mbështetja për një mandat të tretë nga Kongresi Kombëtar Popullor ishte e pritshme për një udhëheqës që i ka larguar nga skena rivalët e mundshëm dhe ka mbushur rangjet e Partisë Komuniste në pushtet me përkrahësit e tij që kur mori pushtetin në vitin 2012.
Kongresi, anëtarët e së cilit emërohen nga partia në pushtet, votoi për zotin Xi me 2,952 vota pro dhe asnjë kundër.
69 vjeçari Xi e kishte emëruar veten për një mandat të tretë pesëvjeçar si sekretar i përgjithshëm i partisë në tetor, duke thyer një traditë sipas së cilës udhëheqësit kinezë e dorëzonin pushtetin pas një dekade. Kufizimi prej dy mandatesh për presidencën që parashikohej në Kushtetutën kineze u eliminua, duke nxitur zërat se zoti Xi mund të qëndrojë në pushtet përgjithmonë.
Në kongres nuk pati ndonjë listë kandidatësh dhe mesa duket udhëheqësi kinez dhe figura të tjera që u zgjodhën nuk patën asnjë konkurrencë për postet.
Procesi është pothuajse tërësisht i fshehtë.
Zoti Xi u emërua gjithashtu unanimisht si komandant i Ushtrisë Çlirimtare Popullore prej 2 milionë anëtarësh, një forcë që i merr urdhrat nga partia.
Mandati i ri i zotit Xi dhe emërimi i personave besnikë ndaj tij në postet kryesore nxjerr në pah monopolin e tij pothuajse të plotë mbi pushtetin politik kinez, duke eliminuar çdo kundërshtim të mundshëm ndaj programit të tij ultra-nacionalist për ta pozicionuar Kinën si rivalen kryesore politike, ushtarake dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe kundërshtaren kryesore autoritare ndaj rendit botëror demokratik të udhëhequr nga Uashingtoni./voa
Nis faza përfundimtare e gjykimit në Hag, Hamza: Kosova beso...
Nis faza përfundimtare e gjykimit në Hag
Osmani uron António José Seguro-n për zgjedhjen si President...
35 aksidente brenda një javë në rajonin e Ferizajt, 15 të lë...
Irani arreston politikanë të shquar reformistë, përmend “lid...
38 aksidente dhe mbi 2100 gjoba të shqiptuara brenda 24 orëv...