Komiteti për Liri Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian, do të mblidhet sot ku temë diskutimi dhe votimi është edhe liberalizimi i vizave për Kosovën.
Njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane në Kosovë, shprehen optimistë se vendimi do të jetë pozitiv, ndërsa theksojnë se ky është edhe një hap drejt përmbylljes së këtij procesi. Profesori universitar, Arben Fetoshi, shprehu bindjen e tij se ky komitet, do të miratojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai theksoi për Radio Kosovën se më pas pritet vetëm formalizmi në seancë plenare të Parlamentit Evropian, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm, në rast të funksionalizimit të sistemit ETIA-s, më së voni nga 1 janari i viti të ardhshëm.
“Besoj që jemi në hapat e fundit për sa i përket përfundimit të sagës së padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave. Nuk pres asnjë befasi, ndonëse çështja e liberalizimit të vizave ka reflektuar një padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës, kur kemi parasysh vlerësimet dhe miratimin e disahershëm nga institucionet kryesore të Bashkimit Evropian, siç është Komisioni, i cili që nga viti 2018 ka konfirmuar përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Besoj që sot do të përmbyllet edhe një hap i radhës dhe pastaj me formalizmin në seancë plenare të Parlamentit Evropian, jam i bindur që kjo çështje veç konkludohet, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë nga vjeshta e këtij viti, nëse funksionalizohet sistemi i ETIA-s, ose më së largu nga 1 janari i viti 2024, ashtu siç të gjithë qytetarët e shteteve të tjera të rajonit e gëzojnë këtë të drejtë, edhe qytetarët e Kosovës do të fillojnë ta gëzojnë”, ka thënë Fetoshi.
Edhe profesori universitar, Dritëro Arifi, pret që të ketë një vendim pozitiv për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Më pas, topi do të shkojë te niveli i ambasadorëve të BE-së, i cili është hapi i parafundit para se të shkojë te Këshilli i Ministrave. Unë mendoj që ky proces nuk ka kthim prapa, pasi edhe Bashkimi Evropian, në një formë e ka kuptuar gabimin e vet. Në një farë mënyre, e ka humbur atë reputacionin apo kredibilitetin e një faktori politik në Ballkan apo Kosovë, ndërsa tani po mundohet që të rikthejë BE-në si një lojtar me rëndësi të madhe politike”, ka thënë Arifi.
Ndërkohë, analisti Artan Muhaxhiri tha se pritet që dinamika e procesit të liberalizimit të vizave të varet edhe nga procesi i dialogut.
“Mund të ketë përshpejtime, por edhe ngadalësime. Është e pritur se dinamika e procesit të liberalizimit të vizave të varet nga qëndrimi konstruktiv i Kosovës në raport edhe me dialogun dhe me çështje të tjera. Pra, sa më konstruktive të jetë Kosova, aq më afër do të jetë edhe liberalizimi i vizave”, ka thënë Muhaxhiri.
Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në takimin e dhjetorit në Bruksel kanë miratuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian për liberalizimin e regjimit të vizave për Kosovën. Pas votimit në LIBE, marrëveshja duhet të votohet edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian.
Ndërkaq, pas përfundimit të këtyre procedurave, qytetarët do të mund të udhëtojnë drejt BE-së më së largu më 1 janar 2024. Ndryshe, liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane. Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë./rtk
Prokuroria kërkon dënimin maksimal për Sërgjan Lazoviqin, mb...
Tirana rikthen gardian dardan, Visar Bekaj
Gërvalla: Kadare i dha Kosovës zë botëror
Begaj viziton Shtëpinë Muze të Kadaresë në 90-vjetorin e lin...
Rreth 60 persona intervistohen në Policinë e Gjakovës për ma...
Vetëvendosje dorëzon në polici kërkesë për hetim të kontratë...