“Keqpërdori ueb-faqen e ASHAK-ut”, tre kolegë ia kërkojnë dorëheqjen Mehmet Krajës

13:23 | 27 Dhjetor 2022
Gita

Tre anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Jusuf Bajraktari, Hivzi Islami dhe Frashër Demaj, po ia kërkojnë dorëheqjen shefit të tyre, kryetarit të ASHAK-ut, Mehmet Kraja.

Përmes një letre, treshja e akademikëve thonë se keqpërdorimi i ueb-faqes nga Kraja nuk ka ndodhur vetëm një herë, duke iu referuar rastit të fundit me publikimin e dokumentit “Synimet Destabilizuese Të Serbisë Në Kosovë Dhe Në Ballkanin Perëndimor”, por ka ndodhur edhe më parë me disa përkujtime për miqtë e tij.

“Para skandaleve lidhur me dokumentin megaloman të Kryetarit të Akademisë, M. Kraja, i cili ka një kohë që po e keqpërdor edhe faqen zyrtare të saj. Së pari kjo ndodhi me disa “In Memoriame” për miqtë e tij jashtë Akademisë, të cilët pasi qëndruan gjatë, me ridizajnimin e faqes, u hoqën, por në arkiv ruhen! Pastaj vazhdon avazin me tekst-pamfletin e tij, të publikuar disa herë dhe në disa vende brenda 11 muajve, por në vëllim të ndryshëm dhe në versione të retushuara: hiq e fut tekste, njëherë në emër të Akademisë, herën tjetër në emrin e tij personal”, thuhet mes tjerash në këtë letër.

“Për manipulimet e sipërpërmendura, kërkojmë që Mehmet Kraja urgjentisht të japë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të ASHAK-ut. Ky akt do të shërbejë si veprim i duhur akademik dhe institucional i ruajtjes së dinjitetit të Akademisë dhe anëtarëve të saj”, përfundon teksti i ASHAK-ut, të cilin të plotë e gjeni më poshtë:

Shpërndaje në rrjete sociale