Elion Musk e krahason Kosovën me Ukrainën, Pacolli: Lexo para se të postosh në Twitter

09:01 | 4 Tetor 2022
A Z

Shefi i SpaceX dhe ai i Starlink, Elon Musk, ka bërë një sondazh në llogarinë e tij në Twitter mbi propozimet e tij për një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.

Përgjigja nga vendi i shkatërruar nga agresioni rus, Ukraina, qe i shpejtë dhe armiqësor.

Ai e ka hapur një anketë në llogarinë e tij në Twitter duke propozuar që të mbahet një referendum se me kë duan që të jenë këto dy territore, me Ukrainën apo Rusinë.

“Le ta provojmë këtë: vullneti i njerëzve që jetojnë në Donbas dhe Krime duhet të vendosë se a janë pjesë e Rusisë apo Ukrainës”, ka shkruar ai

I pyetur nga një ndjekës se a po tenton ta legjitimojë pseudorefendumin që ndodhi nën kushte persekutimi, tortura dhe ekzekutime, Elon Musk sugjeroi që votimi të zhvillohet nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.

Më pas ai e ka sugjeruar një qasje të ngjashme për këto territore siç ishte bërë me Kosovën, por pa e elaboruar më qartë se çfarë donte të thoshte me këtë.

“Ndoshta një qasje të ngjashme si me Kosovën?” ka shkruar Musk dhe ia ka bashkëngjitur artikullin e Britannica për “vetëshpalljen e pavarësisë nga Kosova”.

E, për këtë ka reaguar kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.

“Lexo para se të postosh në Twitter!”, i ka replikuar Pacolli, Muskut në Twitter.

“Më e mira që mund ta bëni për botën është që ta ndërtoni edhe një fluturake hapësinore për udhëheqësin e Rusisë dhe Serbisë sepse me trashëgimitë e tyre gjenocidale dhe të luftës, janë bërë të pashëndetshëm për tokën”.

“Nëse nuk mund ta bëni këtë gjë, atëherë më mirë qëndroni jashtë kësaj pune!”, shkruan./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale