KESCO propozon dyfishim të çmimit të faturave të rrymës

22:47 | 12 Gusht 2022
A Z

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) rritje të tarifave të energjisë elektrike në gati 100%.

Kjo u bë e ditur nga ZRRE-ja, e cila gjatë ditës së sotme e ka publikuar propozimin e KESCO-s.

“Furnizuesi me Shërbim Universal (FSHU) me datë 12 gusht 2022 ka dërguar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) propozimin për tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët që furnizohen nën kushte të shërbimit universal (konsumatorët e rregulluar). Ky propozim vjen si rrjedhojë e kërkesës për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale nga FSHU. ZRRE është duke shqyrtuar arsyeshmërinë e propozimit të FSHU-së dhe në ditët në vijim do të njoftojë publikun për veprimet që do të ndërmerren nga rregullatori”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

KESCO, sipas asaj që ka publikuar ZRRE-ja, ka thënë se kërkesa arsyetohet me mosdisbursimin e subvencioneve të premtuara nga Qeveria dhe me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të publikuara në tabelën e propozuar nga KESCO, del se rritja e çmimit të rrymës mund të shkojë deri në pothuajse 100 për qind.