Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu u pritën në takim nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken.
Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës dhe i falënderoi liderët për mbështetjen e tyre të fuqishme në çështje me rëndësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai shprehu mirënjohje për pranimin e afganëve në Kosovë, mbështetjen për Ukrainën që nga ditët e para të fillimit të agresionin rus atje, si dhe punën e përbashkët në aspekte tjera.
Duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e ShBA-së, në takim u vlerësua lart partneriteti dhe aleanca ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës.
U theksuan raportet bilaterale shtetërore të shkëlqyeshme dhe mundësitë për avancimin e tyre, veçanërisht në rrafshin ekonomik, me shtim të investimeve dhe me rritje të shkëmbimeve tregtare.
Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës është rrëfim suksesi i dyfishtë, i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit dhe ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë, dhe së dyti, është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik.
U bisedua për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Në takim u diskutua për demokratizimin e rajonit si dhe fuqizimin e aleancave vlerore e politike për t’u ballafaquar me ndikimet dhe rreziqet që i kanosen rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Anëtarësimi i Kosovës në Programin Partneriteti për Paqe të NATO-s, si dhe ngritja e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë së Kosovës, u tha se do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë të mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë me ShBA-në në NATO, u theksua se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin.
Synojmë që siguria e Kosovës të ketë për partner edhe të padiskutueshëm por edhe gjithnjë më të fuqishëm ShBA-në, tha Kryeministri Kurti.
U diskutua për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër , në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.
Në takim u ritheksua që Republika e Kosovës deri më tani është angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut, dhe se është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./arbresh.info/







Sekuestrohen 4.2 kilogramë kanabis në Muriqan, në pranga dy ...
Përleshen kunatat në Zubin Potok
BQK shpall konkursin për “Çmimin për Ekonomistë të Rinj”
Anulohet seanca për krime lufte ndaj të akuzuarve Pantiq dhe...
Vushtrri: Katër persona rrahin një tjetër, përdoret edhe arm...
Komuna e Prishtinës cakton lokacion të veçantë për shitjen e...