BE përkrah “heqjen” e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë

10:13 | 5 Korrik 2022
A Z

Në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive të asaj të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, është marrë vendim që të bëhet hapja e kufirit nëpërmjet të dy vendeve, shkruan arbresh.info.

E, ky vendim është mirëpritur edhe nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero në një përgjigje për arbresh.info ka thënë se nismat që nxisin bashkëpunimin rajonal, janë një hap i mirëpritur.

“Nuk e kemi parë tekstin e marrëveshjes, por nismat që nxisin bashkëpunimin rajonal dhe reduktojnë barrierat ndaj tregtisë, njerëzve dhe mallrave, janë një hap i mirëpritur”.

Tutje, Pisonero vlerëson se integrimi rajonal, i bazuar në rregullat e BE-së, mund të sjellë përfitime të prekshme për Ballkanin Perëndimor dhe për Bashkimin Evropian.

“Integrimi rajonal, i bazuar në rregullat e BE-së dhe vërtet gjithëpërfshirës, ​​mund të sjellë përfitime të prekshme për Ballkanin Perëndimor dhe për Bashkimin Evropian”, thuhet në përgjigjën e dërguar për arbresh.info nga Komisioni Evropian.

Ndryshe, ky vendim për hapjen e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është marrë në mbledhjen e përbashkët e të dy qeverive në Prishtinë më 20 qershor.

Ky vendim lehtëson qarkullimin e qytetarëve pa nevoja regjistrimi në kufi, gjatë fundjavave dhe festave zyrtare./Xhejlane Halit/arbresh.info/