Qeveria themelon Komision për Memorialin e fëmijëve të vrarë në luftë

12:20 | 1 Qershor 2022
A Z

Në Ditën Botërore të Fëmijëve, kabineti qeveritar ka vendosur për themelimin e Komisionit Ministror për memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këtë komision do ta drejtojë vetë ai dhe se kjo çështje do të trajtohet me ndjeshmëri.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve përkujtojmë fëmijët që u vranë dhe u masakruan gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në këtë ditë propozoj të themelohet Komisioni Ministror me qëllim të hartimit dhe përgatitjes së projektit “Memoriali i fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë””, tha Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Anëtarë të këtij komisioni janë ministrja e Drejtësisë, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit./arbresh.info/