Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha se situata në Ballkanin Perëndimor “nuk është edhe aq e mirë”.
Borrell i bëri komentet në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, ku situata në këtë rajon – veçanërisht në Bosnje e Hercegovinë dhe në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi – pritet të jetë temë diskutimi.
Ai tha se në Bosnje e Hercegovinë ka tendenca që rrezikojnë unitetin e këtij vendi dhe pengojnë përparimin e tij në rrugën drejt integrimeve evropiane.
Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi tha se raportet e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në nuk janë vetëm rreth zgjerimit, por kanë të bëjnë edhe me përshtatjen e politikës së tyre të jashtme me atë të BE-së.
Duke folur po ashtu në prag të takimit, Varhelyi tha se zgjerimi mbetet vegla kryesore e BE-së për të forcuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor
Ai tha se pret që tani, pas zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari, të ketë lëvizje të shpejta pozitive në terren, që do të mundësonin nisjen e negociatave të anëtarësimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së dhe midis Shqipërisë dhe BE-së.
“Ne jemi të gatshëm për këtë dhe akoma shpresoj se kjo mund të ndodhë para fundit të këtij viti”, tha Varhelyi.
Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave, por kjo është bllokuar në Këshillin Evropian – në rastin e Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Kjo, pastaj, ka ndikuar që të mos nisin negociatat as me Shqipërinë.
Varhelyi paralajmëroi edhe zbatimin e shpejtë të planit për investime në Ballkanin Perëndimor.
Në prag të këtij takimi, nga shërbimet e BE-së është përgatitur edhe një dokument për situatën në Ballkanin Perëndimor, si bazë për diskutimet e sotme.
Në të thuhet se në disa pjesë të rajonit të Ballkanit Perëndimor, situata politike paraqet “sfidë në rritje”.
“Në Bosnje e Hercegovinë është thelluar kriza politike dhe dominojnë retorika dhe veprime përçarëse. Ka pasur kthim të tensioneve dhe incidente në veri të Kosovës. Ndasitë ndërpartiake kanë vazhduar ta destabilizojnë dhe paralizojnë sistemin politik në Mal të Zi. Mospajtimet mes partnerëve nga Ballkani Perëndimor janë duke mbajtur peng implementimin e integrimeve rajonale”, thuhet mes tjerash në këtë dokument.
Çfarë u sekuestrua në shtëpinë e ish-pjesëtarit të MUP-it se...
Tentohet për herë të dytë t’i vihet flaka restorantit në Pri...
Gjendet pa shenja jete një person në banesën e tij në Leposa...
Humbi ndjenjat në vendin e punës, vdes një person në Gjilan
Publikohen pamjet e sulmit amerikan ndaj një tankeri pranë V...
Ngatërroi emrin e Toneyt? Jonida Vokshi sqaron situatën që m...