Kandidatëve të kryeqytetit i kërkohet të kenë në plan qeverisës ‘programin e gjelbër’

09:04 | 28 Gusht 2021
A Z

Në çdo hapësirë toke ku mund të mbillej fare lehtë një pemë, po shndërrohet në copa betoni.

Kandidatët për kryetarë të Prishtinës janë pyetur nga portali arbresh.info nëse do të kenë program të gjelbër si pjesë të planit për qeverisjen katër vjeçare që ata e pretendojnë.

Vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës ishte e gatshme, krahas partive tjera të tregojë planet e saj në lidhje me programin e gjelbër.

Kandidati për kryetar, Përparim Rama, deklaroi për portalin arbresh.info se ka një plan konkret se si hapësirat publike dhe parqet duhet të jenë të ndërlidhura me vendet ku jetojmë dhe punojmë.

“Patjetër! Ky është një ndër prioritetet e mija. Është me rëndësi madhore që në qytetin tonë, hapësirat publike dhe parqet të jenë të ndërlidhuna me vendet ku ne jetojmë dhe punojmë. Ndërlidhja e hapësirave publike me qytetin është shumë e rëndësishme për jetën tonë të përditshme, dhe si Kryetar i Prishtinës do të punoj shumë për këtë ndërlidhje”, deklaroi Rama.

Flutura Zymi, aktiviste e Qytetarëve Aktivë, ka thënë për arbresh.info se kandidatët për kryetar të Prishtinës përveç se duhet të përfshijnë programin e gjelbër, duhet edhe atë të ndryshimeve klimatike.

“Kandidatët për kryetar jo vetëm që do duhej të përfshinë programin e gjelbër por edhe atë të ndryshimeve klimatike edhe të paraqesin planin operativ të detalizuar deri në pikën e specifikuar të ndarjes buxhetore dhe mekanizmat e monitorimit. Tek ne kemi problem me implementim dhe monitorim, prandaj programet e detalizuara janë bazë që ka shpresë për ndryshim, e jo vetëm premtime gojore dhe pika në program”, shprehet Zymi.

Ajo vlerëson se në atë program do duhej të përfshihej në mënyrë të përpiktë se si do të kemi hapësirë të gjelbër në qytet në kaosin e ndërtimeve të shumta ku planifikohet dhe mënyra se si.

“Ku do të ketë hapësira të gjelbra në të ardhmen. Njëkohësisht, plani detalues për mbrojtjen e peizazhit të mbrojtur Gërmisë të florës dhe faunës, ngritja e kapacitetit të stafit dhe trajnimit, buxhetin dhe planin monitorues.”

Drejtoresha e organizatës ‘EcoZ’, Egzona Shala, ka përmendur disa pika se çfarë duhet të merret parasysh në lidhje me hapësirat e gjelbra në Prishtinë, dhe shton se kemi nevojë edhe për infrastrukturë lehtësuese për qytet.

“Nevojitet të shtohet numri i shportave dhe kontejnerëve. Te krijohen parqe në zonat e pa përdorura (pa banuara). Të shtohen trotuaret dhe të mbillen drunj shumëvjeçar. Të fillohen aktivitetet mjedisore në shkolla e sidomos të krijohet një hapësirë e gjelbër për të rinjtë ku mund të realizojnë ide të gjelbra. Pikë tjetër, është edhe përkujdesja ndaj kafshëve (qentë endacak) dhe të krijohen hapësira për transport alternativ (trotuaret për biçikleta).”

Ajo thotë se duhet të iniciohet reduktimi i veturave, dhe se për zbatimin e praktikave të gjelbra të krijohen marrëveshje mes qyteteve të shteteve tjera.

“Të iniciohen nismat e reduktimit të veturave dhe të krijohen marrëveshje në mes qyteteve të shteteve tjera për zbatimin e praktikave të gjelbra dhe implementimin e Objektivave të Zhvillimit te Qëndrueshëm (OBZh) ”, përfundoi Shala për arbresh.info.

Hapësirat e gjelbra janë shumë të nevojshme për shëndetin e njeriut. Parqet, fushat, lendinat, i japin njeriut nevojë për të gjetur paqe nga kaosi i përditshëm.

Madje, ato ulin nivelin e vdekshmërisë së parakohshme. Duke filluar së pari, nga pastrimi i ajrit, duke e bërë atë më të pastër e duke shmangur sëmundje që i kanosen mushkërive, e jo thjesht nga stili i jetesës./Pranvera Beqa/arbresh.info/