Ministria e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka organizuar takimin e parë të Komisionit për Hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit, Kuçi ka folur për rëndësinë e themelimit të Komisionit për hartimin e Kodit Civil, që është i përbërë nga ekspertë vendorë, njohësit më të mirë të lëmisë civile, i përbërë nga teoricienë dhe prakticienë, të cilët do të mbështeten nga ekspertët ndërkombëtarë përmes projekteve të cilat i kemi sot këtu.
Ministri tha se, themelimi i këtij Komisioni nga ana e Qeverisë është pjesë e asaj që kemi projektuar si arkitekturë të drejtësisë në vendin tonë dhe si pjesë e asaj që e quajmë, standarde të domosdoshme në ndërtimin e sistemit të drejtësisë.
“Ne së bashku me partnerët ndërkombëtar po e ndërtojmë sistemin e drejtësisë me ambicie të mëdha dhe me synime që të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë dhe partnerëve ndërkombëtar, për një sistem që ofron drejtësi për të gjithë, që respekton të drejtat e liritë e njeriut dhe që drejtësia vendoset me përgjegjësi, profesionalizëm dhe guxim”, ka thënë Kuçi.
Ministri Kuçi ka theksuar punën që është bërë deri më tani në hartimin e ligjeve sistemore dhe Kodeve, sidomos në fushën Penale. “Ministria e Drejtësisë, përveç angazhimit për plotësimin e infrastrukturës ligjore për drejtësinë penale, gjegjësisht hartimin dhe finalizimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, ka përgatitur dhe finalizuar ligjet përkatëse për drejtësinë civile duke përfshirë në radhë të parë Ligjin për Marrëdhënien e Detyrimeve, Ligjin për Procedurën Kontestimore, Ligjin për Procedurën Jokontestimore, Ligjin për Trashëgiminë, Ligjin për Familjen, Ligjin për Procedurën Përmbarimore, si dhe plotësim/ndryshimet e ligjeve përkatëse”, shtoi Kuçi, transmeton koha.net.
Ministria e Drejtësisë ka përgatitur propozimin për emërimin e Komisionit për Hartimin e draft – Kodit Civil, duke marrë parasysh fushëveprimin dhe angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë në vitet e fundit për hartimin dhe plotësimin e infrastrukturës ligjore për drejtësinë civile dhe penale, si dy nga shtyllat bazë të sistemit të drejtësisë.
Kuçi ka thënë se Kodifikimi i së drejtës civile në Republikën e Kosovës nuk ka nevojë që të jetë ndryshe nga kodifikimet që janë bërë në kontinentin e Evropës. Ministri Kuçi shtoi se nëpërmjet kodifikimit të së drejtës civile të Republikës së Kosovës dhe përgatitjes së Kodit Civil do të ndërtohet dhe stabilizohet materia civile-juridike si një nga shtyllat orientuese të sistemit dhe rendit juridik, duke kontribuar në forcimin e mëtejmë të sigurisë juridike të pjesëmarrësve në qarkullimin privat – juridik.
Për rëndësinë e themelimit të këtij Komisioni, ka folur edhe Kryeministri Isa Mustafa, i cili ka deklaruar se mbështet të gjitha reformat që duhet të ndërmerren për të siguruar legjislacion koherent, si dhe një gjyqësor të pavarur dhe efikas./arbresh.info/
Vit i jashtëzakonshëm për Dion Gallapenin, vlera e tij në tr...
Të kamufluar në një qese, parandalohet futja e dy telefonave...
Kurti në drekë pune me Ulutas, shpreh gatishmërinë dhe vulln...
Pamje nga tërmeti 7.6 ballë që shkundi Japoninë
LDK prezanton listën me 30 kandidatët për pesë degët e Prish...
Ramos konfirmoi largimin e tij nga Monterrey, do të jetë loj...