Numër i vogël i votuesve shqiptar në Mitrovicën Veriore

12:31 | 29 Nëntor 2020
Gita

Interesimi i shqiptarëve për të votuar në zgjedhjet e sotme në Mitrovicën Veriore deri tash është mjaft i vogël.

Nga ora 7:00 kur janë hapur qendrat e votimit, në qendrën e votimit “7 shtatori” në Mitrovicën Veriore, nuk kanë votuar ende as 10 për qind e personave me të drejt votë në këtë qendër, raporton arbresh.info

Vetëm 50 persona kanë votuar deri tash në qendrën e votimit “7 shtatori” në Mitrovicën Veriore, nga gjithsej 872 persona me të drejtë vote në këtë qendër votimi.

Menaxheri i qendrës së votimit “7 shtatori” në Mitrovicën Veriore, Erden Rexhepi për arbresh.info thotë se dalja në zgjedhje e numrit të qytetarëve deri tash në këtë qendër votimi është mjaft e ulët.

“Interesimi i qytetarëve për të votuar është i dobët.  Nuk ka shumë qarkullim, nuk ka lëvizje, kështu që deri në 50 veta kanë votuar, dmth as 10 për qind e tyre”, tha Rexhepi.

Ai, pohoi se shpreson që në orët e pasdites të rritet numri i votuesve. Sipas tij, deri tash në këtë qendër votimi nuk ka pasur asnjë incident apo parregullsi

“Procesi në pikën e votimit “7 shtatori” po rrjedh normalisht. Eksese nuk kemi, probleme nuk kemi. Deri tash rreth 50 votues kanë dalur në këtë qendër votimi prej 872 personave që kanë të drejt votë këtu. Mirëpo ne presim në orët në vijim ndoshta numri i votuesve do të rritet”, u shpreh Rexhepi.

Ai, thotë se masat kundër covid-19 janë duke u respektuar në këtë qendër votimi.

“Veç një person futet brenda për të votuar”, u shpreh ai./arbresh.info/