Haradinaj: Nëse zgjedhet një president tjetër ne s’e kushtëzojmë pjesëmarrjen në qeveri, por shkojmë në zgjedhje

23:23 | 10 Nëntor 2020
Gita

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se do ta urojë këdo që bëhet president/e nëse arrin t’i marrë votat e duhura.

Por, a do të vazhdojë AAK-ja të jetë pjesë e qeverisë në rast se Ramush Haradinaj nuk bëhet president?

“Që sot e uroj këdo që bashkon 2/3-at e votave. I uroj sukses dhe shpresoj që punon në të mirën e Kosovës. Ne vendimin për me marrë pjesë në qeveri e kemi bazuar në situatën që ishte vakum – pa qeveri vendimmarrëse, pa fuqi vepruese dhe pa mundësi që të votojë ligje, pako ekonomike, buxhet dhe të tjera – dhe nuk ia heqim mbështetjen kësaj qeverie të ndërlidhur me diçka tjetër. Nuk po e kërkojmë shkarkimin e kësaj qeverie nëse Haradinaj nuk bëhet president. Por, ne e dimë epilogun – nëse nuk arrijmë marrëveshje për presidentin, atëherë shkojmë në zgjedhje”.

Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës nuk ishte shumë i qartë, pasi derisa insistonte se AAK-ja nuk e kushtëzon qëndrimin në qeveri me zgjedhjen e tij president ai në të njëjtën kohë tha se nëse zgjedhet dikush tjetër president, vendi shkon në zgjedhje.

“Kushdo që krijon shumicë prej 2/3-ave, që hipotetikisht do t’i binte LDK, PDK dhe Lëvizja Vetëvendosje të bëhen bashkë, nuk kanë nevojë me pasë AAK-në. Ata që marrin pjesë që ta krijojnë shumicën e 2/3-ave për president vetvetiu krijojnë bllok politik”.

“Kushdo që merr besimin e qytetarëve të vendit ai është presidenti im. Unë nuk kam votuar për presidentin Hashim Thaçi në atë kohë, por ka qenë President i Kosovës”.

“Nuk qëndron kjo qeveri. Nuk mendoj që AAK-ja ka vlerë në atë qeveri nëse dikush ka 2/3-at e votave. Nuk do të merrnim pjesë në qeveri sikur të mos ishte e pamundur që të krijohej ajo qeveri pa ne”.

“Asnjë problem nuk e kam me vazhdimin e kësaj qeverie, si u bëra e si jo president. Ia kemi dhënë përkrahjen pa e ndërlidhur me president. AAK-ja mund të dalë nga kjo qeveri për arsye të tjera që mund të jene të rëndësishme. Nëse zgjedhet një president tjetër, atëherë ne nuk e kushtëzojmë pjesëmarrjen tonë në qeveri, por e dimë që vendi shkon në zgjedhje. Nëse zgjedhet një president pa ne, pra me një shumicë tjetër, ata nuk kanë nevojë për ne në qeveri”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale