Qalaj paralajmëron zvogëlimin e numrit të policëve në vendvotime

10:50 | 30 Shtator 2020
M. A.

Është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit për Procesin Zgjedhor në mes të pesë institucioneve.

I organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) sot është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të memorandumit në mes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, raporton arbresh.info.

Qëllimi i këtij memorandum është ngritja e nivelit të bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm institucional në mes të KQZ, PK, PSH, PZAP, KGjK dhe KPM për parandalimin e shkeljeve ligjore si dhe hetimin, ndjekjen dhe gjykimin efikas të gjitha rasteve që bien ndesh me ligjet, rregullat zgjedhore apo veprat penale kundër të drejtave të votimit në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se duke u bazuar në avancimin ndër vite të procesit zgjedhor në Kosovë dhe të qytetareve të vendit janë duke analizuar që të zvogëlojnë prezencën e shumë të policëve në vendvotime.

“Nënshkrimi i këtij memorandumi ka rëndësi të veçantë. Viteve të fundit procesi zgjedhorë ka avancuar shumë e kjo fal qytetarëve të Kosovës. Populli i Kosovës ka treguar se Kosova është me të vërtetë një vend demokratik ku çdo njeri voton i lirë në bazë të bindjeve të tij”, tha ai.

“Në emër të Policisë së Kosovës do ta nënshkruaj këtë memorandum sepse kemi rol të madh në mbajtjen e zgjedhjeve. Kemi filluar disa analiza të shikojmë se a kemi nevojë që në secilin vendvotim të kemi aq shumë policë. Duhet të analizojmë dhe dal nga dal të zvogëlojmë numrin e policëve në vendvotim”, tha ai./arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale