Ahmeti: Qeveria emëron jashtëligjshëm zv ministrin e MPJD

12:32 | 23 Qershor 2020
M. A.

Qeveria e re e Kosovës ka emëruara zv ministër të Jashtëm ambasadorin e Republikës së Kosovës në Tajlandë.

Këtë veprim, Ish shefi i kabinetit të Glauk Konjufca, Kreshnik Ahmeti, e ka quajtur si të jashtëligjshëm dhe rikthim të degradimit në  MPJD-së dhe shërbimit të jashtëm, raporton arbresh.info.

“Ky veprim është shkelje ligjore në dy kuptime: së pari si diplomat i karrierës në detyrë, pa ndjekur procedurat e parapara, ai angazhohet aktivisht politikisht, gjë që bie ndesh me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe me parimin e paanshmërisë politike të diplomatëve të karrierës. Së dyti, caktimi në një pozitë të lartë politike, pa kërkuar paraprakisht tërheqjen e tij nga detyra e ambasadorit, është veprim i paprecendet i cili ofendon shtetin pritës ku ai është ambasador dhe dëmton kredibilitetin e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës”, tha mes tjerash Ahmeti.

Postimi i plotë i tij:

Rikthehet degradimi i MPJD-së dhe Shërbimit të Jashtëm

Dje Qeveria e Kosovës e paska caktuar si zv. Ministër të MPJD-së ambasadorin e Republikës së Kosovës në Tajlandë, i cili formalisht vjen nga radhët e diplomatëve të karrierës.

E tërë kjo ndodhë derisa ai ka në fuqi dekretin e Presidentit për të qenë ambasador dhe pa lajmëruar shtetin pritës. Ky veprim është shkelje ligjore në dy kuptime: së pari si diplomat i karrierës në detyrë, pa ndjekur procedurat e parapara, ai angazhohet aktivisht politikisht, gjë që bie ndesh me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe me parimin e paanshmërisë politike të diplomatëve të karrierës. Së dyti, caktimi në një pozitë të lartë politike, pa kërkuar paraprakisht tërheqjen e tij nga detyra e ambasadorit, është veprim i paprecendet i cili ofendon shtetin pritës ku ai është ambasador dhe dëmton kredibilitetin e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Do të ishte plotësisht në rregull po të ndiqeshin procedurat e parapara për këtë veprim. Por, ato procedura marrin kohë dhe duket që kjo Qeveri e ka kuptuar që përveç legjitimitetit është në mungesë të madhe edhe të kohës dhe po mundohet të realizoj interesat e veta sa më shpejt. Gjithashtu, do të jetë interesante të shohim nëse Presidentit i duhen 5 muaj për ta tërhequr dekretin për këtë ambasador, siç po i vonon terheqjet e ambasadorëve politik që po qëndrojnë jashtëligjshëm në një mandat të dytë.

Në bazë të veprimeve të para të kabinetit të ri në MPJD, është e qartë se Shërbimi i Jashtëm i është kthyer degradimit të mëparshëm. Me këtë ritëm, nuk është befasi nëse i shohim edhe 14 konsujt e paligjshëm të shkarkuar nga Ministri Konjufca, duke u kthyer në pozitat të cilat ligjërisht nuk u takojnë.

Shpërndaje në rrjete sociale