Dega në Gjakovë letër Isa Mustafës

18:57 | 28 Mars 2015
M. A.

Antarë të Degës së LDK-së në Gjakovë me antë të një letëre u janë drejtuar kreut të LDK-së, Isa Mustafës, të cilët i janë ankuar për kryetarin e Degës, Luan Gola, duke supozuar se përsoni në fjalë është duke manipuluar me procesin e brendshëm zgjedhor.

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë:

Letër e Hapur

Drejtuar: z.Isa Mustafa – Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk bën pa Gjakovën, përderisa as Gjakova nuk bën pa Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Gjakova dhe LDK-ja, kanë një relacion të bujshëm në historikun e tyre, qysh prej themelimit të LDK-së, roli i anëtarëve, simpatizantëve dhe udhëheqësve të degës së LDK-së, në Gjakovë ka qenë determinues në shumë procese nëpër të cilat kishte kaluar komuna dhe vendi ynë, e tërë kjo si rezultat i specifikave që posedon Gjakova dhe Malësia e saj, si në aspektin e resurseve intelektuale, kombëtare dhe patriotike, po ashtu edhe në aspektin e shtrirjes së saj gjeografike, duke qenë pjesë e vijës kufitare me pjesën tjetër të kombit tonë të dashur, bëri që Gjakova të ishte njëra ndër adresat e para destinuese, artikuluese dhe më pastaj edhe distribuese e të gjitha aktiviteteve në tërë vendin.

Në kohët më të vështira të vendit tonë, gjurmët e punës së palodhshme me interes kombëtar dhe patriotik të aktivistëve të LDK-së, dega në Gjakovë, i hasim në tërë territorin e vendit tonë, ndërsa më së shumti në ato zona të nxehta ku kundërshtohej dhe luftohej aparati terroristë i Serbisë.

Dega e LDK-së, në Gjakovë, menjëherë pas luftës fitoi dy herë radhazi si në zgjedhjet lokale, po ashtu edhe në ato nacionale, mirëpo në rrethanat e krijuara për LDK-në në tërësi dhe pasi që ndërroi jetë edhe presidenti historik Dr.Ibrahim Rugova, duke mos anashkaluar edhe luftën brenda llojit, bëri që dega e LDK-së, në Gjakovë të përjetojë edhe humbjen e saj.

Me zgjedhjen e kryetarit aktual z. Luan Gola, u pretendua drejt një kthese për partinë, mirëpo z. Gola e dëshmoi disa herë radhazi që me të si kryetar i degës, dhe me konceptin e tij përjashtues, LDK-ja kurrë nuk mund të përjetojë ngritje, e aq më pak të kthen LDK-në, si lidere në komunën tonë.

Duke e ditur që LDK-ja, në Gjakovë nuk po mund të kapërcen as partitë e vogla, dhe duke e qenë e renditur si e pesta parti në nivel lokal, jemi të detyruar që t’i lëmë anash të gjitha pengesat dhe të krijojmë një sinergji të vërtetë, ku për objektiv themelor kemi nxjerrjen e degës së LDK-së, në Gjakovë, nga ky mjerim i pandërprerë dhe të punojmë fuqishëm që ajo të zërë vendin e saj të merituar, si partia numër një në komunën tonë.

Por për t’u arritur një gjë e tillë, konsiderojmë që apriori duhet të mbizotërojë një frymë bashkëpunuese dhe me një shkallë të lartë të transparencës, në mënyrë që procesi zgjedhor i brendshëm të jetë demokratik dhe jo përjashtues, duke iu dhënë mundësinë të gjithë anëtarëve dhe aktivistëve që të zgjedhin dhe të zgjidhen, dhe mbi bazën e këtij rezultati demokratik të dalin edhe strukturat e reja të partisë, ku për objektiv të patjetërsueshëm do të kenë kthimin e degës së LDK-së, në Gjakovë, si parti lidere.

Me pak fjalë mund të konkludojmë se procesi i brendshëm zgjedhor, ka marrë drejtimin e degradimit të plotë dhe atë me një diletantizëm të llojit të vet, ku në krye të kësaj të keqe gjendet pikërisht kryetari aktual, z. Luan Gola.

Kryetari aktual Gola, si kurrë më parë ka filluar të shndërrohet në problemin kryesorë, me ç’rast po aplikon një gjueti shtrigash të paparë deri me tani në degën e LDK-së në Gjakovë, ku shkeljet statutare dhe përjashtimet skandaloze janë bërë rutinë e dëmshme, të cilat filluan me dy nëndegët në fshatin Pnish dhe Lipovec, dhe duke vazhduar edhe më keq në nëndegën e dytë, pasi që pretendoi që të mbajë kuvend zgjedhor pa paralajmërim, pa kuorum dhe me njerëz të partive tjera politike. Për të gjitha këto shkelje në nëndegët e lartcekura, posedojmë fakte të bollshme që dëshmojnë si të paprecedent shkeljen e Rregullores dhe të Statutit të LDK-së.

Kjo filozofi politike e kryetarit aktual, z.Luan Gola, të cilën ai po e dëshmon dhe demonstron në kontinuitet, përveç që është në kundërshtim të plotë me filozofinë dhe frymën Rugoviane, është edhe antiligjore, apo nëse e konvertojmë në veprim politik mund ta quajmë favor i plotë i partive tjera, duke e bërë LDK-në në Gjakovë një minorancë të përjetshme në nivel lokal, ndërsa duke e rrezikuar me seriozitet në nivel qendror, më konkretisht duke ia pamundësuar që LDK-ja, të jetë partia e parë në nivel vendi.

Për fund e ftojmë kryetarin aktual, z.Gola, që të reflektojë pozitivisht dhe të heqë dorë nga këto manipulime në këtë proces të brendshëm zgjedhor, se një gjë të tillë asnjëherë dhe për asnjë çmim nuk do ta lejojnë anëtarët dhe aktivistët e degës së LDK-së, në Gjakovë.

Po ashtu i’u bëjmë thirrje të sinqertë anëtarëve, aktivistëve dhe simpatizantëve që të jenë të përmbajtur dhe të qetë, sepse entuziazmin, përkushtimin, guximin, shpresën dhe ambicien për ta bërë degën e LDK-së, si partia e parë në komunën tonë nuk do ta ndal askush, e cila rrjedhimisht pastaj do ta fuqizojë dhe garantojë edhe LDK-në, në nivel vendi si parti lidere.

LDK-ja, si shtëpi e përbashkët 25 vjeçare, është derë e madhe dhe e hapur për të gjitha gjeneratat, profesionistët, anëtarët, aktivistët dhe simpatizantët e saj, pasi që ky ishte dhe do të mbetet koncepti dhe filozofia e trasuar nga presidenti historik Dr.Ibrahim Rugova.

Mbesim në pritje të ndërhyrjes së kryetarit Mustafa dhe Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Zoti e Bekoftë Kosovën,

Zoti e Bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës, aktivistët, anëtarët dhe simpatizantët e saj.

Me shumë konsideratë,

Themelues, Anëtarë, dhe Simpatizantë të LDK-së, dega në Gjakovë. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale