Autori: Ilir Ejupi
E gjithë klasa politike në Kosovë, para zgjedhjeve, e ka të mbushur gojën plot me demokraci, drejtësi, respektim të mendimit ndryshe dhe lirisë së fjalës, luftën ndaj korrupsionit, nepotizmit etj., mirëpo në momentin kur e marrin pushtetin të gjitha mjetet dhe potencialin e kthejnë në luftën se cili po merr më shumë pushtet dhe cili po shtrinë ndikim më të madh te qytetarët. Kjo logjikë e të bërit politikë na çon tek ato sisteme totalitare, të cilat në emër të demokracisë gjithçka e fusin nën kthetrat e tyre.
Nuk mund të bashkëqeverisësh me tendencat e shtrirjes së elementeve totalitare brenda një sistemi demokratik dhe të mbash gjithçka nën kontrollë kur je në partneritet të paimponuar e të vullnetshëm në qeverisje. Shprehja e fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe është e garantuar me kushtetutë dhe ligjet në fuqi brenda një sistemi demokratik.
Personave që kanë element totalitare e diktatoriale asnjëherë nuk duhet t’iu ipet pushtet i madh, sepse nuk do ta lënë asnjë pore të shoqërisë pa e shtrirë ndikimin dhe kontrollin e tyre. Të mendosh ndryshe nga ata, ti do të konsiderohesh armik i shtetit dhe pushtetit, mendimin ndryshe do ta marrin si shkelje ligjore e tradhëti kombëtare. Prandaj, duhet pasur kujdes nga ata persona, të cilët në emër të demokracisë duan ta marrin pushtetin absolut, që më pas t’i shtrijnë bindjet e tyre totalitare në të gjitha poret e shoqërisë.
Demokracia dhe totalitarizmi kanë një element të përbashkët, jo në përmbajtje, por në formën e saj ideologjike. Sistemi totalitar gjithmonë thirret dhe kërkon që ta marrë pushtetin nga shumica, ndërsa me marrjen e pushtetit ai bëhet sistem kontrollues i shumicës. Klod Lëfor thotë se totalitarizmi buron nga demokracia, ku si shembull e merr Nazizmin si një sistem totalitar, i cili me propagandën e tij politike ka marrë besimin e shumicës, ku me pas e ka shtrirë ndikimin e tij totalitar në çdo sferë të shoqërisë.
Si çdo sistem tjetër po ashtu demokracia dhe totalitarizmi përdorin ideologjitë e tyre politike për të marrë dhe mbajtur pushtetin. Demokracia dhe totalitarizmi si dy sisteme politike janë të kundërta me njëra-tjetrën në përmbajtjen e tyre. Demokracia është një sistem politik, i cili mbështetet në vullnetin e shumicës. Pra, shumica është ajo e cila përmes votës së tyre i zgjedh përfaqësuesit e vet, mirëpo për ta kompletuar konceptin e demokracisë duhet që shumicës t’ia shtojmë edhe pakicën, ku e nxjerrim një definicion më të pranueshëm, siç është: “Demokracia është sundim i shumicës, gjithmonë duke e respektuar vullnetin e pakicës. Pra, të gjitha elementet e demokracisë duhet t’i gëzojë edhe pakica.
Demokracia në vete përmban disa elemente të mira për funksionimin e shoqërisë: Ekziston liria dhe e drejta e individit; liria dhe pavarësia e mediave; Zgjedhje të lira dhe të pandikuara; funksionim i ligjit etj. Ndërsa, totalitarizmi e kontrollon dhe e mban të shtypur shumicën, duke e favorizuar dhe privilegjuar pakicën. Në sistemin totalitar ekzistojnë partitë politike, mirëpo nuk ekziston pluralizmi politik dhe konkurrenca politike. Në sistemet totalitare nuk ekziston liria e individit, mediat janë të kontrolluara nga pushteti, mungon kritika politike. Karl Popperi thotë së kritika politike është elementi më i rëndësishëm i një shoqërie demokratike. Pra, qytetarët nuk janë të lirë që të kritikojnë, t’i shprehin mendimet e tyre dhe të japin variante të ndryshme në sfera të ndryshme të funksionimit të shoqërisë.
Nga ajo që u tha me lartë mund të themi se, demokracia dhe totalitarizmi kanë të përbashkët formën e marrjes së pushtetit, ndërsa në përmbajtje janë diametralisht të kundërta njëra më tjetrën.
Në Kosovë, qytetarët nuk duhet të bien pre e politikave të cilat kanë tendencë për të marrë një pushtet absolut duke u thirrur në emër të demokracisë dhe të kauzave me të cilat po përballet vendi, sepse rrezikojmë të rrëshqasim në një sistem totalitare, i cili do t’a kontrollojë çdo sferë të shoqërisë, duke u nisur nga shprehja e fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe deri te kontrolli i mediave, ekonomisë, drejtësisë etj. Me këtë, ne rrezikojmë humbjen e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët e ruajnë me fanatizëm sistemin demokratik, lirinë e fjalës dhe mendimit ndryshe.
Përleshje me thika në Vragoli, tre persona përfundojnë në nd...
Vjen reagimi i parë nga një zyrtar rus, pas fitores së Peter...
Gjendet pa shenja jete një person në Graçanicë
Krejt çfarë dihet rreth bllokadës së paralajmëruar nga Trump...
Vetaksident në Dobrushë të Istogut, vdes një 32-vjeçar
Të shtëna me armë gjatë natës në rrugën Prishtinë-Ferizaj, c...