“Ngarkim-shkarkimet” e zyrtarëve, analistët nuk kanë lëvdata për Albin Kurtin

08:06 | 23 Shkurt 2020
A Z

Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti në dy javët e para të punës së saj është fokusuar në shfuqizime të vendimeve e në shkarkime.

E, analisti politik Bekim Kabashi, vlerëson se shkarkimet në ndërmarrje publike e nëpër ministri nuk janë diçka e re.

Sipas tij, dallimi për të mirë do të ishte, nëse kjo qeveri, njerëzit që do t’i sjellë në ato pozita, t’i bëjë përmes procedurave ligjore e transparente dhe një gare fer pa ndikime politike, që t’u hapet rruga profesionisteve.

“Megjithatë, praktika e kaluar, si te LDK e po ashtu edhe te VV gjatë qeverisjes nëpër komuna e tregon të kundërtën. VV sa ka qeverisur në Prishtinë, por edhe tani në Prizren, nëpër borde ka dërguar militantë partiak dhe jo profesionistë”, ka thënë Kabashi.

Ndërsa analisti politik Leon Duhanaj, tha se, në asnjë rrethanë, nuk duhet të bëhen shkarkime, pa asnjë analizë paraprake dhe në grupe kolektive.

Tutje thotë se, çdo njeri i cili nuk performon mirë, duhet shkarkuar. Por, assesi kjo të ndodhë për të bërë spektakël politik dhe për inate të së kaluarës.

“Me siguri që edhe tema e punësimeve të militantëve do të bëhet aktuale, sepse tek ne, kur është në pyetje pushtet-mbajtja çdo gjë ndodhë me automatizëm”, tha Duhanaj.

Ndryshe, Vendimi i parë i miratuar nga qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti ishte shfuqizimi i vendimit të qeverisë së Kosovës, i miratuar me datë 20.12.2017 për pagat e qeveritarëve.

Kurti vendosi gjithashtu të shkarkojë të gjithë koordinatorët nacionalë të emëruar nga kryeministri i qeverisë së kaluar, Ramush Haradinaj.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës me rekomandimin e ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari ka vendosur të shkarkojë bordin e Drejtorëve të Telekomit. Shkarkimi i bordit të Drejtorëve të Telekomit u bë me arsyetimin se ata kanë shkelur detyrat e tyre financiare dhe si pasojë Telekomi është në krizë.

E ndërsa, vet kryeministri Kurti ka paralajmëruar shkarkime të reja nëpër pushtete të tjera të vendit.

Vendimet e qeverisë Kurti për shkarkimet e shfuqizimet e vendimeve nuk janë pritur mirë nga opozita në Kosovë./A.Zeka/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale