Kuka: Majlinda është fantashkencë, rezultatet e saj s’do t’i arrijë askush për 100 vjet

NORA GJAKOVA, DRITON KUKA, MAJLINDA KELMENDI

10:35 | 27 Qershor 2019
M. A.

Majlinda Kelmendi, kampionia olimpike ditë më parë e ka siguruar medaljen e artë në Lojërat Evropiane “Minsk 2019” duke e mposhtur kundërshtaren ruse, Natalia Kuziutina.

Kjo ka qenë e vetmja medalje që xhudistja kosovare nuk e ka pasur.

Ndonëse ka fituar gjithçka, Majlinda nuk ndalet. Trajneri i saj, Driton Kuka, thotë se edhe në këtë kohë asaj duhet shpesh t’i thotë “stop”.

“Majlinda si fëmijë ka qenë e veçantë. Nuk po e them tash pse është kampione e paevitueshme. Kjo gjithmonë ka pasur një qëndrim më serioz për moshën e saj, por ky seriozitet është kthyer në punë shumë të madhe”, ka thënë Kuka në Zonën B të Klan Kosovës.

“Një Majlindë me rezultatet që i ka arritur është fantashkencë. Fëmijë të motivuar ka, por këto që i ka arritur Majlinda qofsha i gabuar, por për 100 vjet nuk do t’i arrij askush”.

“Majlindës edhe në këtë kohë duhesh me i thënë stop. Lëndimet e saj vijnë si pasojë e ngarkesës. Sepse ajo punon edhe fshehtas meje. Nëse unë i them duhem dy orë stërvitje, ajo ushtron 2 orë e 30 minuta”.“Aktualisht para disa muajve i kam thënë nuk punoj me ty nëse vepron kështu. Nëse nuk më dëgjon 100%. Kjo çdo ditë i thotë shpirtit dil”.“Një personalitet të tillë nuk e kam hasë jo vetëm në sportin e Kosovës, por askund. Majlinda punon më shumë se krejt”.

Shpërndaje në rrjete sociale