Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte takuar më 6 qershor, në Berlin, me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ku kishin diskutuar për raportet dypalëshe ndërshtetërore dhe për temën e dialogut Prishtinë-Beograd
Në një konferencë për media pas kthimit nga Gjermania, Haradinaj kishte treguar detaje nga takimi dhe kishte thënë që është diskutuar për taksën, por duke potencuar se Merkel nuk i kishte kërkuar heqjen e taksës.
Lidhur me këtë, Gazeta Express ka kontaktuar zyrën e kancelares Angela Merkel, sipas së cilës Gjermania, njëjtë sikurse e gjithë BE-ja, mbështet heqjen e taksës, për shkak se një vendim i tillë bie në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s për tregti të lirë.
“Tarifat ndëshkuese shkelin Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore, prandaj Gjermania, ashtu si BE-ja, mbështet heqjen e tarifave ndëshkuese”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Qeverisë Federale gjermane dhënë Gazetës Express.
Se BE-ja kërkon heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë për rifillimin e dialogut të Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në një prononcim për Gazetën Express e ka thënë zëdhënësja e Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Maja Kocijancic.
Ajo ka thënë se për të rinisur plotësisht dialogun, Qeveria e Kosovës duhet të suspendojë taksën ndaj Serbisë.
“Për një rifillim të plotë të bisedimeve, Qeveria e Kosovës duhet që të supesondojë taksën”, ka thënë Kocijancic duke theksuar se nuk duhet të ketë vonesa të tjera.
Megjithatë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbetet i pa lëkundur në qëndrimin e tij për taksën. Ai thotë se pa një marrëveshje për njohje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, taksa nuk hiqet.
Ndërkohë në anën tjetër Serbia kthimin në dialogun e Brukselit vazhdon ta kushtëzojë me heqjen e taksës.
Këtë e përsërisin çdo ditë krerët e shtetit serb atje. Madje tashmë po e kushtëzojnë edhe mbajtjen e Samitit të Parisit me taksën.
Një gjë të tilla e ka thënë shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se Samiti i Parisit nuk do të mbahet, nëse Kosova nuk e heq taksën.
Gjithashtu edhe presidenti serb, Vuçiq ka thënë se ka shumë gjasa që Samiti i Parisit të mos mbahet.
Se takimi në Francë mund të shtyhet e ka thënë dje edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Megjithatë ai thekson se Kosova ka bërë të gjitha përgatitjet për këtë takim, dhe se askush nuk mund të kërkojë përgjegjësi nga Kosova nëse Samiti i Parisit nuk mbahet./GazetaExpress/
Verifikohet respektimi i afatit tremujor për veturat me targ...
Irani shkatërron sistemin kryesor të radarëve mbrojtës të SH...
Moti sot me diell, temperatura arrin në 16 gradë
Trepça fiton dramën ndaj Vëllaznimit, triumfon në çastet e f...
Parashikimi i motit për nesër
Trump pret liderë të Amerikës Latine, shpall koalicionin kun...