Ministrja e Arsimit e Shqipërisë qëndroi në Bujanoc, ofron ndihmë me libra

09:28 | 7 Maj 2019
M. A.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa  Shahini është takuar sot në Bujanoc të Serbisë me homologun e saj Mladen Sharçeviq, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik në Republikën e Serbisë.

Të pranishëm në takim kanë qenë gjithashtu kryetari i Zyrës së Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës Zoran Stankoviq, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi Ragmi Mustafa dhe ambasadori shqiptar në Serbi, Ilir Boçka.

Gjatë takimit, u diskutua problematika e mungesës së librave shkollorë në gjuhën shqipe në Serbi. Në këtë kuadër, ministrja Shahini shprehu mundësinë e përdorimit të teksteve tona që përdoren në shkollat e Shqipërisë, pasurimin e bibliotekave shkollore me libra në gjuhën shqipe, si dhe ofroi gjithë ekspertizën e nevojshme kurrikulare të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR).

Oferta e ministres Shahini u pranua në parim, ndërsa tani në vijim ngelet të detajohet edhe realizimi teknik i planit në mënyrë që të ketë arsim më cilësor për të gjithë shqiptarët në Serbi. Gjatë vizitës, Ministrja Besa Shahini vizitoi edhe një shkollë fillore në Bujanoc.

Shpërndaje në rrjete sociale