Kriza e refugjatëve, thellohen ndasitë në BE

19:01 | 23 Shtator 2015
Gita

Ndarja në mes vendeve të Bashkimit Europian për zhvendosjen e 120.000 refugjatëve kanë qenë arsyet për takimin emergjent rë udhëheqësve të unionit të thërritur në Bruksel.

Sllovakia është duke ndërmarrë një nismë ligjore për të kundërshtuar kuotat e propozuara nga Brukseli për strehimin e refugjatëve.

Ndërkohë, kryeministri i Hungarisë mbrojti të drejtën demokratike të vendit të tij për të vendosur vetë mbi politikat për refugjatët, si dhe propozoi një plan radikal për rritjen e fondeve për krizën.

Kryeministri britanik, David Cameron dhe presidenti francez, Francois Hollande u takuan në prag të nisjes së samitit. Në përfundim të takimit ata deklaruan se zgjidhja e konfliktit sirian është kyçe për zgjidhjet e krizës së emigrantëve.
Britania ka mënjanuar planin e përbashkët të BE-së për shpërndarjen e refugjatëve, duke vënë në zbatim një plan të vetin për të tërhequr 20 mijë refugjatë direkt nga kampet e sirianëve.

Para nisjes së samitit të jashtëzakonshëm, Komisioni Europian bëri publik planin për të menaxhuar krizën, ku ndër të tjera parashikohej rikthimi i lëvizjes së lirë në zonën Shengen, paralajmërimi për penalizime për 19 vende anëtare të BE-së që refuzojnë të respektojnë procedurat e azilit dhe lëvrimi i një fondit prej 1.7 miliardë eurosh për krizën, ku 1 miliardë do të shkojnë për të ndihmuar Turqinë dhe pjesa tjetër për agjencitë humanitare, azilantët, policinë dhe agjencitë e tjera të kontrolleve kufitare.

E ndërsa BE vazhdon të diskutojë pa dalë ende me një plan konkret të përbashkët, problemi merr përmasa akoma më të mëdha. Kroacia njoftoi të mërkurën se mbi 50 mijë refugjatë kanë hyrë në territorin e saj që kur Hungaria përfundon ngritjen e barrikadave në kufirin e vet me Serbinë.

Shpërndaje në rrjete sociale