VV-ja nuk voton për certifikim e Listës Serbe

11:18 | 23 Prill 2019
M. A.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e radhës ka shqyrtuar certifikimin e subjekteve politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.

Valmira Selmani, nga Zyra për Certifikimi të Subjekteve Politike, tha se nga PDK-ja dhe VV-ja janë plotësuar të gjitha kushtet për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Kanë garuar tri parti politike PDK, VV dhe Lista Serbe. Kushtet për certifikim nga PDK-ja janë në përputhje të neneve për zgjedhje të përgjithshme dhe lokale dhe nenin për certifikimin e kandidatëve. Kjo parti nuk ka pasur gjoba të shqiptuara. Kandidatët: Leposaviq-Shaqir Hetemi; Zubin Potok- Hysen Mehmeti, Zveçan- Ilir Peci dhe Mitrovicë veriore- Gonxhe Çaushi”.

“Janë plotësuar të gjitha kushtet që subjekti politik së bashku me kandidatët e saj të certifikohen.  Kandidatët e VV-së janë Leposaviq- Fisnik Veseli; Zubin Potok- Liridona Karimani; Zveçan- Avdi Peci dhe Mitrovicë veriore- Erden Adiq”.

Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga VV, tha se janë kundër kandidaturave të Listës Serbe, por jo kundër komunitetit serb.

Sipas tij, Lista Serbe është dashur të ofrojë dëshmi shtesë që distancohet nga qëndrime e Beogradit dhe të ofrojnë kandidatura të vlefshme.

“Mendoj që duhet të kemi parasysh disa çështje që të sqarohen paraprakisht. Duhet me bë të qartë, unë nuk jam kundër të asnjë etniteti në Kosovë, megjithatë e kuptojmë se jemi në një situatë të pazakontë. Edhe në arsye edhe në përmbajtje e formë dorëheqja e katër kryetarëve të komunave binte në kundërshtim me Kushtetutën”.

“Tre prej kandidatëve janë ish kryetarët e komunave që kanë dhënë dorëheqje më parë siç e thamë. Duhet ta evidentojmë kandidatët në fjalë së paku tre prej tyre me dorëheqjet që kanë dhënë në formën si e kanë dhënë për bindjen time bie në kundërshtim me kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë”.

“Lista Serbe është dashur të na ofrojë dëshmi shtesë që distancohet nga këto qëndrime dhe të ofrojnë kandidatura të vlefshme”.

Ai shtoi se KQZ-ja nuk duhet të qëndrojë indiferent karshi kësaj gjendje, raporton EO.

“Rikandidimi i tre të dorëheqjeve të cilët e kanë blloku qeverisjen lokale atje do të duhej të ishin të papranueshme. Lista Serbe do të duhej të ofronte kandidatë të tjerë”.

Stevan Veselinoviq, anëtari i KQZ-së nga Lista Serbe, tha se kjo parti po sulmohet politikisht, ngase sipas tij, nuk ka asgjë të keqe të rikandidojnë tre ish-kryetarët nga veriu i vendit.

“Sulmet politike vetëm e vërtetojnë që të sulmohen përfaqësuesit e subjekteve politike. Lista Serbe nëse i ka propozuar dhe gjithkush e ka të drejtë unë nuk e shoh këtë problem. Mendojë që këtu nuk ka vend për politikën”.

Partia Demokratike të Kosovës (PDK) Lëvizjes “Vetëvendosje” edhe Lista Serbe kanë aplikuar në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për certifikim në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 maj të këtij viti, raporton Ekonomia Online.

Afatin për aplikim për certifikim të subjekteve politike, ka filluar më 9 prill dhe ka përfunduar më 18 prill, raporton EO.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të drejtë vote kanë 58 520 votues, me dallim prej 1 507 votues më shumë, në krahasim me Zgjedhjet e Lokale të datës 22 tetor 2017.

Të drejtë vote në Mitrovicën veriore kanë 22 242 persona; në Leposaviq 18 390 persona në Zveçan 9.276 persona dhe në Zubin Potok 8 612 persona kanë të drejtë vote.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Shpërndaje në rrjete sociale