Ndryshimet e dyshimta në Federatën e Peshkatarëve pak para incidentit me pjesëtarë të ISIS’it në Badovc [DOKUMENTE]

16:16 | 21 Shtator 2015
Gita

Vetëm dy muaj para incidentit në Badovc, ku pesë persona, dy prej të cilëve pjesëtarë të ISIS’it, u arrestuan nën dyshimin e përgatitjes së veprave terroriste ndodhën ndryshime të jashtëzakonshme në Federatën e Peshkatarëve – përgjegjëse për kontrollimin e ujërave. Një hulumtim i Expressit zbulon se ndryshimet u bënë në mënyrë të dyshimtë dhe ato sollën në krye të kësaj OJQ’je avokatin e një imami kontrovers, nga Maqedonia, i cili operonte në Kosovë me një OJQ islamike të mbyllur për aktivitete antikushtetuese.

Imami kontrovers nga Maqedonia, Llukman Neziri, kishte dështuar në prillin e këtij viti që të merrte nën pronësi një parcelë në Gjilan për të ndërtuar shtëpinë e tij, copë toke për të cilën pretendon se ka paguar mbi 20 mijë euro te disa miq të tij. Aty tashmë është e ndërtuar një xhami e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Dega në Gjilan, por edhe imami Nezir tash e ka një shtëpi që e shfaq me krenari në Kumanovë të Maqedonisë ku po e vazhdon aktivitetin e tij.

Imami Neziri, një ekzorcist islamik (hoxhë i “rukijeve”) dhe një ligjërues i rregullt i OJQ’së “Ndjeshmëria”, e cila ishte mbyllur për aktivitet antikushtetuese në kontestin me pronarët e tokës që para se ai ta blinte i ishte falë BIK’ut, prezantohej nga avokati Faruk Brestovci. Brestovci e humbi betejën me BIK’un në gjyq, por ai do të gjente një punë të re – kryetar i Federatës së Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës (FPSRK), një OJQ kjo që me mandat nga Ministria e Bujqësisë është përgjegjëse për monitorimin e ujërave në krejt territorin e Kosovës.

Por një hulumtim i Gazetës Express gjen që zgjedhja e tij në këtë pozitë, veprim që vije vetëm dy muaj para incidentit të Badovcit, ku pesë persona u arrestuan nën dyshimin për përgatitjen e veprave terroriste ishe e dyshimtë dhe tash edhe i kontestuar me një padi nga ish-Kryetari i kësaj OJQ’je, Arianit Sllamniku.
Deri tash as kryetari aktual i FPSRK’së, Faruk Brestovci dhe as imami Llukman Neziri nuk kanë komentuar mbi pyetjet e Express.

Ndryshimet e dyshimta në OJQ’në që kontrollon ujërat

Përmes një kuvendi të jashtëzakonshëm Federata e Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës do të emëronte për kryetar Faruk Brestivcin, për të cilin kërkimet e para në internet japin rezultate vetëm të profesionit të tij si këngëtar lokal i dasmave në Gjilan.
Vendimin e datës 18 maj 2015 të lëshuar nga Ministria e Administratës Publike (MAP), Departamenti i OJQ’ve e publikoi një ditë më vonë Komisioni i Garave i FPSRK’së.
Por, para kësaj date në MAP ishte dërguar një shkresë nga ish-Kryetari i kësaj OJQ’je (atë kohë ende kryetar) që në terren disa persona po mblidhnin nënshkrime për një mbledhje të jashtëzakonshme të kuvendit të FPSRK’së dhe për këtë thotë se e kishte njoftuar edhe Policinë.

Kuvendi i thirrur nga këta persona, që sipas paralajmërimit të dërguar në MAP as që ishin anëtarë të kësaj OJQ’je, u mbajt dhe, sipas përgjigjes së MAP për Express, në këtë kuvend morën pjesë 13 delegatë, që për këtë dikaster të Qeverisë së Kosovës përgjegjës për OJQ’të kuvendi del të jetë komplet i ligjshëm.

Por, për ish-kryetarin Arianit Sllamniku krejt ky aktivitet ishte i bazuar në dokumente te falsifikuara. Ai në kallëzimin Penal që e ka deponuar në Prokurori thotë që avokati Brestovci në MAP si fakt për pjesëmarrjen e mjaftueshme të personave në kuvendin e jashtëzakonshëm ka përdorur listën e personave që janë nënshkruar më herët vetëm pro mbajtjes së kuvendit të jashtëzakonshëm.

Ai në dokumentin e dorëzuar në Prokurori pretendon që Brestovci e ka ndryshuar me shkrim dore faqen e parë të dokumentit dhe nga lista e personave që janë regjistruar si të gatshëm për të mbajtur kuvend të jashtëzakonshëm e ka shndërruar në listë të pjesëmarrësve real në atë kuvend të datës 18 maj 2015-e ka falsifikuar atë dokument.

Për MAP’in, në përgjigjet që ata i kanë dhënë Express’it, ky dokument është i mjaftueshëm, por Sllamniku në pretendimet e tij në Prokurori thotë që megjithëse ka ushtruar dy herë kërkesë në Departamentin e OJQ’ve, atij nuk i është dhënë kjo mundësi çka e bënë atë që të ngrejë dyshime edhe në vetë zyrtarët e MAP’it si bashkëpunëtor në këtë, sipas tij, falsifikim.

Express ka pritur për afro dy javë që të marrë ndonjë koment nga Faruk Brestovci për dyshimet ngritura ndaj tij, për raportin me imamin Llukman Neziri, për ngjarjen e 11 korrikut 2015- incidentin e Badovcit ku pesë persona u arrestuan nën dyshimin për përgatitjen e veprave terroriste, por i njëjti nuk është përgjigjur ende edhe pse pyetjet i janë dërguar në kontaktin zyrtarë që ai ka lënë në Odën e Avokatëve të Kosovës.

Express ka kërkuar edhe një koment nga Arianit Sllamniku që e ka ushtruar padinë në Prokurori pas konstatimeve të MAP se megjithatë kuvendi i jashtëzakonshëm që nxori si kryetar Brestovcin është i ligjshëm, por i njëjti ka thënë për Express se “Nuk do të komentoj më shumë derisa Prokuroria të e kryej punën e vet”.

Mungesa e pashpjegueshme e rojeve të FPSRK’së në Badovc në ditën e incidentit
Ligji për Peshkatari dhe Akuakulturë i Kosovës i jep kompetenca të gjëra FPSRK’së në kontrollimin e ujërave përmes rojeve të peshkimit. Pos kësaj, kjo OJQ ende e ka në dispozicion një mandat specifik për të kontrolluar ujërat, mandat i dhënë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Rëndom, në Liqenin e Badovcit patrullojnë këto roje të peshkimit, që jo rrallë kanë kapur edhe peshkatarë ilegalë që më vonë do të përfundonin edhe në Gjykatat kompetente për veprimin e tyre të peshkimit ilegal.
Por, më 11 korrik 2015 në Liqenin e Badocit pesë të dyshuarit për përgatitjen e veprave terroriste që kishin bërë disa lëvizje të çuditshme, dhe jo vetëm një, në këtë liqen nuk u vërejtën nga rojet e FPSRK’së. Express e ka pyetur kryetarin Faruk Brestovci edhe për këtë çështje, nëse në natën kritike kishte apo nuk ishin dërguar fare roje peshkimi në Badovc, por i njëjti as në këtë pyetje nuk është përgjigjur.

E derisa rojet e FPSRK’së nuk u bënë të gjalla kur Besnik Latifi , Enis Latifi, Milazim Haxhia, Gazmend Haliti dhe Fehmi Musa po bënin manovrat e tyre në Badovc, natën e 11 korrikut ata u vërejtën nga rojet e digës së liqenit, roje të një kompanie private të angazhuar nga Kompania e Ujësjellësit Regjional që ka nën kompetencë edhe liqenin e Badovcit, që furnizon me ujë Prishtinën.

Incidenti i Badovcit: Arrestohen xhihadistë të ISIS’it

images (1)

images (2)

Pesë të arrestuarit në fjalë që iu caktua masa e paraburgimit, sipas dokumenteve zyrtare që sipas Prokurorisë Speciale dyshohet se planifikonin veprime terroriste dhe antikushtetuese, e që nuk u kapën nga rojet e peshkimit të FRSPK’së kishin zhvilluar lëvizje që do të binin lehtë në sy, nëse roje do të kishte aty pari.
Versioni i Prokurorisë thotë më datë 11 korrik 2015 rreth orës 00:10, tek vendi i quajtur “Parku i Arinjve”, (vend strehim i Arinjve), nga roja e liqenit te Badovcit, është vërejtur një veturë Golf 2 ngjyrë e kuqe me targa 01-508-AS, në të cilën veturë gjendeshin tre persona qe janë përshkruar nga roja e liqenit si persona me mjekra dhe te veshur me rroba te zeza. Roja e liqenit pasi kishte vërejtur veturën me personat kishte tentuar që me anë të baterisë se dorës të shikonte se kush ndodhej ne veturë, por te njëjtit pasi kanë vërejtur rojën menjëherë janë larguar dhe kanë vazhduar ne drejtim të malit me veturë.
Rojet e liqenit kishin vazhduar me patrullim rutinë të liqenit dhe pas rreth dy orëve ata kishin hasur në veturën e njëjtë, e cila ishte e ndaluar ne magjistralen Gjilan-Prishtinë në largësi përafërsisht dy kilometra nga diga e liqenit. Lëvizjet e veturës në fjalë për rojet e liqenit ishin të dyshimta dhe ata e kishin pyetur ngasësin e veturës se kënd po e prisni dhe ai ishte përgjigjur se vetura i kishte mbetur pa benzinë.
“Rojet e liqenit kanë shikuar në veturë dhe kanë vërejtur se ne veturën e lartcekur kishte uniforma ushtarake, maska dhe dorëza te zeza dhe një flamur i organizatës ISIS. Atëherë rojet e liqenit menjëherë kanë njoftuar policinë përmes linjës emergjente”, thuhet në versionin e Prokurorisë
Derisa ishin duke pritur për njësitë policore rojet e liqenit kishin vërejtur edhe një veturë tjetër të tipit VW Passat me targa 03-744-BU, e cila veturë kishte bërë disa xhiro në të njëjtën rrugë, e cila veturë është ndaluar pak minuta pasi që kishin arritur njësitë policore në vendin e ngjarjes, ku gjendeshin dy persona.
Me këtë rast policët kanë identifikuar të pandehurit: Milazim Haxhiaj, Besnik Latifin (student i metalurgjisë), Enis Latifi (me profesion saldues në firmën “Shkodra” në Prishtinë) ku gjatë kontrollit të personave dhe veturave, në bagazhin e veturës Golf 2 është gjetur një çantë në të cilën gjendeshin disa uniforma pa shenja dalluese, maska, dorëza si dhe një flamur i organizatës terroriste ISIS.
Sipas informatave fillestare është dyshuar se në vendin e ngjarjes tek Liqeni i Badovcit ka qenë së paku edhe një person tjetër, i cili ka arritur që para se njësitë policore të arrijnë në vendin e ngjarjes të largohet në drejtim të panjohur.
Tre personat e lartcekur që janë hasur në vendin e ngjarjes me veturat e lartcekura (Golf 2 dhe Passat) do të arrestoheshin aty për aty.
Pas arrestimit do të pasonin në seri informacionesh me burime të ndryshme që të njëjtit po planifikonin të helmonin ujin e pijshëm në Liqen, dyshime që do të përforcoheshin në debatin publik nga një gafë i njërit nga avokatët e të dyshuarve e cila në përgjigje para gazetarëve tha që “Po, ju ka gjet në çantë qasi, helmi…”, gjë që më vonë për disa herë do të mohohej nga Policia.

Shkathtësitë e veçanta të të dyshuarve e bindin Prokurorinë për sulm të mundshëm.

Por, operacioni “Badovci” nuk përfundoi me arrestimin e tre personave të parë dhe pastaj Policia e Kosovës identifikoi edhe dy persona të tjerë që ishin të përfshirë në këtë rast: Gazmend Haliti , i cili kishte arritur të largohet nga vendi i ngjarjes para arritjes së Policisë, i cili pastaj është ndihmuar të arratiset nga një person tjetër i identifikuar si Fehmi Musa, i cili vetëm pakë kohë më parë kishte folur publikisht në media në favor të Sheriatit Islam i pyetur për veprimet e ISIS’it.
Pesë të dyshuarit folën në Polici, përveç Besnik Latifi, i cili qe mbrojtur në heshtje, dhe Prokuroria konstatoi se “në mënyrë të sigurt është vërtetuar se të dyshuarit kanë qenë në kohën dhe vendin të përshkruar në diapozitiv të këtij aktvendimi. Ata nuk ishin në gjendje që ta justifikojnë arsyen e ndodhjes së tyre në vendin dhe kohën e caktuar”, thuhet në dokumentet zyrtare të Prokurorisë.

Prokuroria pastaj shton se dyshimi i bazuar që këta persona kanë qenë në fazën e përgatitjes së ndonjë akti terrorist, përveç arsyeve të lartcekura, janë të bazuara edhe në të dhënat e profileve që në rast njihen si persona me ideologji ekstremiste e të dhëna që sugjerojnë që së paku dy prej tyre (Besnik Latifi dhe Gazmend Haliti) ishin arrestuar edhe më herët në operacionin e madh anti-ISIS të gushtit 2014 si xhihadistë dhe pjesëtarë të kësaj organizate terroriste që në listën saj ka afro 300 kosovarë.

Dyshimet e Prokurorisë për përgatitje të një sulmi terrorist u shtuan edhe kur u gjet që dyshuari Milazim Haxhiaj gjatë vitit 2003 kishte marrë pjesë në punime që janë bërë në liqenin e Badovcit, punime këto që ishin zhvilluar pikërisht në digën e këtij liqeni. Haxhiaj edhe përkundër që në shtëpinë e tij kishte dy vetura të parkuara për të udhëtuar në drejtim të Badovcit natën kritike kishte huazuar veturë me qira në Rent a Car, çka rriti dyshimet e Prokurorisë ndaj tij.

“Tre nga pesë të dyshuar kanë shkathtësi të veçanta, i dyshuari Besnik Latifi është student i metalurgjisë në Universitetin Publik të Mitrovicës, i dyshuari Enis Latifi me profesion është saldues, ndërsa i dyshuari Milazim Haxhiajka punuar më herët në vitin 2013 në Liqenin e Badovcit, në digën e këtij liqeni”, argumentonte Prokuroria para Gjyqit korrikun e këtij viti.

https://drive.google.com/file/d/0B1_spIsb2SLAMTEtNy1fOGxwNGM/view?pli=1

https://drive.google.com/file/d/0B1_spIsb2SLARkdqTER4MHFfOE0/view?pli=1

https://drive.google.com/file/d/0B1_spIsb2SLAMTEtNy1fOGxwNGM/view?pli=1

 

Shpërndaje në rrjete sociale