Ethet Hemorragjike Krime Kongo vazhdojnë të jenë problem për Komunën e Malishevës, ndonëse nga viti 2014, përveç pickimeve nuk ka pasur viktima. Me qëllim të parandalimit të përhapjes së rriqrave, Komuna e Malishevës ka filluar masat preventive. Kështu tha për Radio Kosovën nënkryetari i kësaj komune, Hajdin Berisha, sipas të cilit, pickimi nga rriqrat në të kaluarën mori edhe disa jetë njerëzish.
“Malisheva ka vuajtur nga prezenca e virusit të etheve hemorragjike viteve të kaluara. Nga paslufta, deri në fund të vitit 2013, Malishevës kjo i ka kushtuar me 18 jetë njerëzish. Duke e marrë parasysh se Komuna e Malishevës është e ekspozuar ndaj Etheve Hemorragjike Krime Kongo, kemi filluar me kohë ndërmarrjen e masave preventive që kanë të bëjnë me sensibilizimin e qytetarëve dhe repilimin e kafshëve”, tha Berisha.
Ndërmarrjen e këtyre masave e kanë mirëpritur qytetarët. Feim Hoxha, njëri nga ta, tha se ndërmarrja e masave, po jep efekte pozitive.
“Malisheva në vazhdimësi ka probleme me rriqrat. Por, viteve të fundit, falë angazhimit të Komunës dhe institucioneve qendrore, punët po shkojnë më mirë. Dhe, fatmirësisht nuk kemi viktima e as të infektuar”, tha ai.
Por, edhe përkundër ndërmarrjes së masave preventive, me fillimin e ngrohjes së motit, pickimet nga rriqrat, kanë filluar. Kështu tha edhe kryeinfermierja e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Malishevë, Valbona Gashi.
“Edhe këtë vit pickimet nga rriqrat kanë filluar. Rastet e para vetëm janë paraqitur. Janë tre qytetarë që janë drejtuar te ne për t’i hequr rriqrat. Këto vitet e fundit kemi qenë mirë, edhe përkundër numrit të madh të të pickuarve nga rriqrat. Shpresojmë edhe këtë vit ta kalojmë mirë e mos të kemi viktima”, tha ajo për Radio Kosovën.
Kryeinfermierja Gashi u rekomandon qytetarëve të pickuar nga rriqrat që assesi ato të mos i largojnë vetë, por të drejtohen në QKMF për trajtimin e nevojshëm. Që nga paslufta e deri në fund të vitit 2013, në fshatra të Komunës së Malishevës, kanë vdekur 18 qytetarë nga ethet hemorragjike Krime Kongo.
ShBA thotë se ka nisur pastrimin e minave në Ngushticën e Ho...
Kërcasin plumbat në Ferizaj, rrahje dhe të shtëna, një i dys...
Lot e dhimbje, Albulena Haxhiu ndan pamjet nga varrimi i bab...
Zyrtari policor nën ndalim 48-orësh, akuzohet për ngacmimin ...
Bisedimet SHBA-Iran, CNN: Bota po pret në ankth se a do të k...
Shtrenjtohet pemët, perimet e mishi, ASK njofton për rritje ...