Haradinaj thotë se Kosova është e gatshme të veprojmë ndaj çdo kërcënimi, KFOR-i shton prezencën në veri

19:33 | 3 Gusht 2018
V. S.

Në gatishmëri për çfarëdo situate janë vënë institucionet e sigurisë.

Raportimet e fundit për mundësinë e zhvillimeve në veri të vendit, krerët e institucioneve të sigurisë janë mbledhur për një mbledhje të jashtëzakonshme, raporton KTV.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se ka kërkuar rritje të gatishmërisë.

Duke iu referuar zhvillimeve rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Haradinaj tha se institucionet kosovare janë brenda obligimeve të marra në Bruksel.

Haradinaj ka folur edhe për deklarimet nga Prishtina e Beogradi, lidhur me çështjen e kufijve, që sipas tij, është vetëm retorikë dhe nuk mund të ndikojë në gjendjen e sigurisë.

Përveç Këshillit të Sigurisë, gjatë ditës, Ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, ka takuar komandantin e KFOR-it Salvatore Cuoci, ku është konstatuar se gjendja e sigurisë është stabile.

Lidhur me rrezikun e eskalimit të situatës në vend, ka pasur deklarata edhe nga deputetët e opozitës.

Derisa Policia e Kosovës reagoi ndaj raportimeve për përfshirjen e mundshme të këtij institucioni në zhvillimet e fundit.

“Policia e Kosovës, si një ndër institucionet kryesore për zbatimin e ligjit, reagon ndaj disa deklarimeve dhe publikimeve, të disa mediave/portaleve për gjoja përfshirjen e Policisë së Kosovës në skenarë të ndryshëm. Policia njofton se deklarimet dhe publikimet e tilla nga kushdo qofshin, janë të pabazuara dhe të dëmshme, pasi që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe krijojnë pasiguri ndër qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen nga Policia e Kosovës.

Derisa lidhur me informatat për ndërprerjen e pushimeve për pjesëtarë të Policisë, nga zyra për media, nuk është dhënë një përgjigje konkrete.

“Policia e Kosovës sipas planifikimeve të saj operacionale ndërmerr edhe veprime të planifikimit të burimeve të saj njerëzore për realizimin e detyrave zyrtare në mënyrë sa më efikase,”thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Policisë, Daut Hoxha.

E gjatë ditës, kanë qarkulluar video-incizime të trupave të KFOR-it, duke lëvizur në pjesë të ndryshme të vendit, në atë që thuhet se është ushtrim i planifikuar./KTV/

Shpërndaje në rrjete sociale