Muriqi për FIFA-n: Të luaj në Botëror me Kosovën do të ishte mënyra perfekte për ta mbyllur karrierën

13:46 | 24 Mars 2026
D.H

Sulmuesi dhe kapiteni i Kosovës për ndeshjet e marsit, Vedat Muriqi, ka folur për faqen zyrtare të FIFA para ndeshjes historike ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e “play-off”-it evropian për Kupën e Botës 2026.

Kosova synon kualifikimin e parë në histori në Botëror dhe për Muriqin kjo do të ishte realizimi i një ëndrre të madhe.

“Jemi një komb i ri në futboll, vetëm dhjetë vite. Do të japim gjithçka për të arritur në Botëror. Është një mundësi e madhe për ne dhe gjithë vendi është në eufori. Për mua personalisht është shumë speciale – një nga ëndrrat e mia është të luaj me Kosovën në një Botëror apo Kampionat Evropian,” deklaroi ai.

“Kemi filluar të besojmë në veten tonë. Për një vend si Kosova, vendi i dytë dhe ‘play-off’-i është arritje e madhe,” shtoi ai.

Muriqi pret një ndeshje shumë të vështirë ndaj Sllovakisë, duke vlerësuar punën e trajnerit Francesco Calzona dhe cilësinë e skuadrës kundërshtare.

“Janë shumë të fortë fizikisht dhe taktikisht. Dinë të luajnë si ekip dhe kanë arritur rezultate të mëdha, madje edhe ndaj Gjermanisë,” tha ai.

Kapiteni nuk e fsheh dëshirën për ta luajtur finalen në shtëpi:

“Ëndrrat janë të rëndësishme. Nëse arrijmë në finale dhe luajmë në Prishtinë, do të jetë një festë e jashtëzakonshme. Por fillimisht duhet të kalojmë Sllovakinë.”

Nëse kualifikohet, Kosova do të përballet me fituesin e duelit mes Turqisë dhe Rumanisë.

Muriqi pranoi se pjesëmarrja në Botëror mund të jetë edhe kapitulli i fundit i karrierës së tij.

“Të luaj në Botëror me Kosovën do të ishte mënyra perfekte për ta mbyllur karrierën. Do të ndihesha i qetë duke ditur që e kam realizuar ëndrrën time,” u shpreh ai.

Sulmuesi po kalon një sezon të jashtëzakonshëm në La Liga, ku është ndër golashënuesit më të mirë, në garë me yje si Kylian Mbappé dhe Lamine Yamal.

“Jam shumë krenar. Ky mund të jetë sezoni më i mirë i karrierës sime. Kam shënuar 18 gola dhe dua të vazhdoj kështu deri në fund,” përfundoi Muriqi.

Ndeshja mes Kosovës dhe Sllovakisë luhet të enjten mbrëma me fillim nga ora 20:45 në Bratislavë./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale