Broja i motivuar pas golit të parë me Burnleyn

22:46 | 24 Dhjetor 2025
D.H

Armando Broja është rikthyer tek goli këtë fundjavë pas shumë kohësh, ku realizoi në ndeshjen ndaj Bourenmouth e cila përfundoi 1-1.

Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit, Broja ka folur për emocionet e këtij goli si dhe motivimin që i jep në vazhdim.

“Gati kisha harruar se si ndihesh pas shënimit të golave. Por ndjenja ishte e shkëlqyer. Kemi siguruar një pikë dhe tani mund të lëvizim para si grup”, ka deklaruar të mërkurën Broja në intervistën e publikuar në faqen e Burnleyt në YouTube.

Ai ka vlerësuar tej mase skuadrën kundërshtare.

“Bournemouthi është ekip shumë i mirë dhe është vështirë të luash ndaj tij. I kemi parë rezultatet e asaj skuadre dhe gjithmonë bën mirë ndaj ekipeve të mëdha. Është ekip i fortë dhe loja ishte shumë e vështirë për ne. Por, të largohesh nga stadiumi i mysafirëve me një pikë pas shtatë humbjeve rresht, ishte ndjenjë e mirë për ne, sepse nga këtu mund të nisim së ndërtuari diçka të mirë”, është shprehur Broja.

“Natyrisht se pas golit të shënuar, ndjenja ishte shumë e mirë për vete, por edhe për ekipin, sepse të gjithë ishim të përfshirë. Ndoshta nuk ishte paraqitja më e mirë sa i përket rezultatit, por është nisje e mirë. Ne kemi kualitet, kemi dëshirë, jemi të uritur për suksese dhe jemi të bashkuar për të mbetur në Premier League. Këtë mund ta shoh te çdo futbollist në skuadër. Është liga më e fortë dhe do të luftojmë në çdo ndeshje”, është shprehur Broja.

Armando Broja ka luajtur 11 ndeshje në Premier League këtë sezon me fanellën e Burnleyt. Derisa ndeshja e radhës e tij është me Evertonin në fundjavë./Arbresh

Shpërndaje në rrjete sociale