Ademi: Kosova me mentalitet fituesi, Botërori do të ishte qershia mbi tortë

19:26 | 1 Janar 2026
E.G

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vlerësuar vitin 2025 si një nga periudhat më të suksesshme në historinë e futbollit kosovar, duke theksuar se rezultatet e arritura janë fryt i një pune shumëvjeçare, strategjie të qartë dhe bashkëpunimi me UEFA-n dhe FIFA-n.

Në një intervistë të fundvitit për Radio Kosovën, Ademi tha se ngritja e Kosovës në ranglistën e FIFA-s në vendin e 80-të botëror dhe të 23-tin në Evropë, si dhe sukseset e klubeve dhe të Kombëtares, nuk janë të rastësishme.

“Është e vërtetë që në një vit vjen kurora e rezultateve, por është bërë shumë punë vite më parë. Jo vetëm nga unë apo nga ky Komitet Ekzekutiv, por që nga fillimi i organizimit të Federatës së Futbollit dhe nga momenti i pranimit në UEFA dhe FIFA. Viteve të fundit kemi krijuar një standard tjetër, të bazuar në një strategji të përbashkët me UEFA-n dhe FIFA-n, por edhe në realitetin dhe forcat e futbollit të Kosovës”, ka deklaruar Ademi.

Ai theksoi se kjo strategji është përqafuar nga futbollistët dhe shtabi teknik, duke u kthyer në rezultate konkrete në fushë.

“Rangimi është matësi më i mirë për një federatë, sidomos për një federatë që vetëm nëntë vite është pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s. Arritja në vendin e 80-të dhe vlerësimi i ligës sonë si një ‘storje suksesi’ nga FIFA dhe UEFA nuk janë rastësi. Liga jonë është ndër më të vlerësuarat dhe më të rangurat në rajon”, theksoi ai.

Ademi ia dedikoi suksesin e Kombëtares gjithë ekipit, duke veçuar kontributin e futbollistëve që kanë qenë pjesë e Kosovës që nga fillimet, në kushte shumë më të vështira.

“Këtë sukses ia dedikoj gjithë ekipit kombëtar, e sidomos atyre që kanë dhënë kontributin më të madh ndër vite. Futbollistët që kanë filluar në kushte krejt tjera, sot janë pjesë e një kombëtareje me mentalitet fitues”, tha ai, duke përmendur emra si Valon Berisha, Fidan Aliti, Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Arbër Zeneli, si dhe futbollistët e rinj që kanë krijuar një ekip homogjen dhe atmosferë shumë pozitive.

Presidenti i FFK-së vlerësoi po ashtu rolin e stafit të Federatës dhe shtabit teknik, duke theksuar se çdo hallkë ka kryer punën e saj në mënyrë profesionale.

“Organizimi i Federatës, shtabi teknik që e ka përqafuar projektin dhe strategjinë tonë, si dhe futbollistët që e kanë bartur barrën kryesore, kanë sjellë këtë sukses. Sot në Federatën e Futbollit ekziston një mentalitet fitues”, u shpreh Ademi.

 

Duke folur për ndeshjet e “play-off”-it, Ademi theksoi se Kosova nuk duhet të ketë frikë nga asnjë kundërshtar, por njëkohësisht duhet të mbetet me këmbë në tokë.

“Nuk i kemi ndeshjet e lehta. Çdo ekip që ka arritur në këtë fazë ka cilësi dhe ambicie. Uroj që ndaj Sllovakisë ta kemi ekipin komplet. Nuk është puna që do të frikësohemi apo që të themi që jemi të sigurt që fitojmë, por do të bëjmë më të mirë e mundshme dhe është një ekip i cili realisht mund të bëjë çudira dhe i aftë të arrijë rezultate çdo kund. Uroj që të kemi dhe fatin atë ditë me veti dhe të na ndihmojë Zoti që të kalojmë atë pëngesë dhe pastaj në ndeshjen e fundit në Prishtinë do të jetë një spektakël, e që këtë mund ta garantojë dhe e di sepse e atmosferën e bëjnë Dardanët dhe gjithë populli”, tha ai.

E qershia mbi tortë, siç tha Ademi, do të ishte kualifikimi në Kupën e Botës.

“Sidomos një përballje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishte domethënie të veçantë, si falënderim për një shtet që ka ndihmuar Kosovën të bëhet shtet dhe vazhdon ta mbështesë”, theksoi ai.

Ademi ia atribuoi meritat e suksesit futbollistëve dhe stafit të Kombëtares së Kosovës, në krye me selektorin aktual Franco Foda, duke mos lënë pa përmendur edhe selektorët e mëparshëm.

“Që nga Ajet Shosholli, si selektori i parë, e deri te Franco Foda, të gjithë ata që kanë punuar për Kombëtaren e Kosovës kanë një pjesë të suksesit. Të gjithëve u jam mirënjohës”, nënvizoi Ademi.

Shpërndaje në rrjete sociale