Vengu me homologun hungarez: Të zgjerojmë bashkëpunimin ushtarak dhe mbështetjen për integrimin në BE

09:37 | 24 Shkurt 2026
E.K

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij hungarez, Kristóf Szalay-Bobrovniczky, pas takimit dypalësh në Budapest.

Gjatë fjalës së tij, Vengu theksoi se Shqipëria ka mirëpritur investime të rëndësishme dhe kompani ekselence nga Hungaria, duke e cilësuar këtë si një shtyllë të rëndësishme të bashkëpunimit mes dy vendeve, që synohet të zgjerohet edhe në rrafshin ushtarak.

Ai shprehu mirënjohje për ndihmën operacionale të dhënë nga Hungaria në përballimin e emergjencave civile, veçanërisht gjatë sezonit të kaluar të zjarreve që përfshinë rajonin e Mesdheut lindor.

“Shqipëria është një vend që ka mirëpritur investime të rëndësishme dhe kompani të ekselencës hungareze. Dhe ky element tashmë është dhe shtyllë e bashkëpunimit që ne synojmë ta zhvillojmë në rrafshin ushtarak. Jemi mirënjohës për ndihmesën në rrafshin oeracional të emergjencave civile, ndihmën që ka dhënë Hungaria përgjatë zjarreve që mbuluar Mesdheun në sezonin e kaluar dhe posaçërisht Mesdheun lindor”, deklaroi Vengu.

Ministri shqiptar nënvizoi gjithashtu mbështetjen e fortë që Hungaria i jep anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian, duke e cilësuar këtë si një element kyç të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Nga ana e tij, ministri hungarez Szalay-Bobrovniczky u shpreh i kënaqur për realizimin e takimit dypalësh në Budapest, duke theksuar se është kënaqësi të pritet një vend anëtar i NATO dhe një vend evropian si Shqipëria.

Ai theksoi se Ballkani Perëndimor ka një rol kyç historik, ekonomik dhe social, ndërsa Hungaria e vlerëson Shqipërinë për rolin e saj në stabilitetin rajonal.

“Jemi të kënaqur që sot u realizua ky takim dypalësh në Budapest. Është kënaqësi të mirëpresim një vend anëtar të NATO-s dhe një vend europian. Ballkani Perëndimor ka një rol kyç historik, ekonomik dhe social.

Hungaria e vlerëson Shqipërinë për rolin e saj në stabilitetin e rajonit.

Një vlerësim i madh për rrugën e gjatë që ka ndjekur Shqipëria në prag të futjes së saj në BE”, u shpreh ministri hungarez.

Ky i fundit vlerësoi rrugën e gjatë që Shqipëria ka ndjekur drejt integrimit evropian, duke deklaruar se Hungaria vazhdon ta mbështesë plotësisht anëtarësimin e saj në BE, pasi e konsideron të merituar dhe jo të bazuar në arsye politike apo ideologjike.

Sipas tij, përmbushja e objektivave të NATO-s dhe ndarja e përvojave mes dy vendeve janë thelbësore, çka u konfirmua edhe gjatë takimit dypalësh mes delegacioneve.

“Hungaria vazhdon të mbështesë në kuptimin e plotë të fjalës integrimin e Shqipërisë pasi është i merituar dhe jo i bazuar në arsye politike apo ideologjike si në rastin e Ukrainës, të cilin Hungaria kurrsesi nuk e mbështet.

Për të dyja palët, përmbushja e objektivave të NATO-s dhe ndarja e përvojave janë thelbësore dhe u konfirmuan dhe në takimin dypalësh”, përfundoi ai.

Të ngjashme