Në Shqipëri janë raportuar 22 vatra, 11 mbeten aktive

23:26 | 19 Korrik 2025
R J

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, në Shqipëri,ka bërë të ditur të dhënat e përditësuara lidhur me situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit, ku raportohen 22 vatra zjarri dhe 11 prej tyre mbeten ende aktive.

Referuar Ministrisë së Mbrojtjes  shpjegohet se deri në orën 18:00 të ditës së sotme janë raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat 11 janë shuar dhe 11 vijojnë të jenë aktive. Gjithashtu bëhet e ditur se përmes ndërhyrjes së menjëhershme të forcave operacionale, është bërë i mundur izolimi dhe shuarja e disa vatrave në bashkitë Korçë, Vlorë, Himarë, Kavajë, Shijak, Kamëz dhe të tjera.

Megjithatë,  në zonat ku flakët mbeten aktive, përballja është e vështirësuar për shkak të terrenit të thyer dhe erës së fortë që përhap shpejt zjarrin.

Kështu, një nga vatrat më serioze ndodhet në Parkun Kombëtar të Lurës në Dibër, ku që prej datës 7 korrik zjarri vijon të përhapet në dy fronte. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në këtë zonë janë angazhuar mbi 60 forca të FA dhe autoriteteve vendore, ndërsa vatra të tjera po digjen në Mat, Bulqizë, Maqellarë, Elbasan, Vlorë, Fier, Lezhë, Durrës dhe Shijak.

Ndërkaq, në zonën e Dukatit, mbi fshatin Sotiran, zjarri është përhapur me intensitet të lartë dhe ka përfshirë edhe sipërfaqe me pisha. Ndërhyrja është e vështirë dhe po bëhet nga mbi 25 efektivë në terren.

Gjithashtu, në Mallakastër, një vatër e fuqishme ka prekur zonën e Belishovës, ku  po operojnë qindra forca me dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe helikopterë ushtarakë.

Përballë kësaj situate, autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal dhe të raportohet menjëherë të çdo rasti zjarri, ndërsa monitorimi dhe ndërhyrjet do të vijojnë pa ndërprerje deri në shuarjen e plotë të vatrave./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale