Gazsjellësi, 3 stacione në Berat, drejt shpronësimit mbi 3 mijë m2 tokë

21:54 | 25 Janar 2017
Trina Galanxhi

Mbi 3 mijë metër katrorë tokë bujqësore do t’i ndryshohet destinacioni për shkak të ndërtimit të gazsjellësit TAP.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është vendosur miratimi për ndryshimin e përhershëm të statusit të tokës, e cila preket nga ndërtimi, prej shoqërisë TAP-AG, të tre stacioneve të valvulave të sigurisë/bllokimit të seksionit tokësor të Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP) – sektorët 5B dhe 5C.

Më konkretisht, në sektorin 5, ngrihen dy stacione në Qarkun e Beratit, posaçërisht në fshatin Vodicë, ku do të jetë stacioni i Stacioni i Valvulave të Sigurisë/Bllokimit SVS/B 29. Në këtë fshat, shpronësohen rreth 1 mijë metra katror tokë, ndërsa stacioni tjetër do të jetë në fshatin Therepel, me sipërfaqe me mbi 1 m katror, ku do të ngrihet stacioni i Valvulave të Sigurisë/Bllokimit SVS/B. Në sektorin 5C, do të ngrihet stacioni i valvulave në fshatin Qafë.

“Sipërfaqet e tokës që do të ndikohen nga ndërtimi i stacioneve të valvulave bllokuese të seksionit tokësor të Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), do të vihen në dispozicion të shoqërisë Trans Adriatik Pipeline AG (TAP AG) për përdorim të përhershëm”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Procedurat për zgjidhjen e marrëdhënieve të pronësisë bëhet nga kompania dhe banorët, në bazë të dispozitave ligjore.

“Shoqëria TAP AG, pas përfundimit të punimeve për ndërtimin e stacioneve të valvulave të sigurisë/bllokimit SVS/B 29 në Vodicë, SVS/B 28 në Therepel dhe SVS/B 27 në Qafë (qarkun e Beratit), është e detyruar të realizojë rehabilitimin mjedisor të territorit në ato pjesë të parcelave që janë ndikuar nga ndërtimi i këtyre stacioneve, por që nuk do të përfshihen si pjesë e tyre”, thuhet në pikën 6 të vendimit.

Shpërndaje në rrjete sociale