Një viktimë dhe një i plagosur, zbardhet ngjarja e rëndë në Memaliaj, përplasja me armë pas një sherri, tre të arrestuar dhe dy vëllezër në kërkim

20:09 | 22 Prill 2026
E.G

Policia e Gjirokastrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë të regjistruar mbrëmjen e 21 prillit në Memaliaj, e cila përfundoi me një viktimë dhe një të plagosur. Bilanci i operacionit policor pas ngjarjes është dy persona të arrestuar për vrasje në bashkëpunim, një për fshehje të së vërtetës, si dhe dy vëllezër të shpallur në kërkim.

Dinamika e përplasjes me armë

Sipas hetimeve të thelluara, gjithçka ka nisur nga një konflikt fizik i çastit ku janë përfshirë disa persona. Gjatë përshkallëzimit të sherrit, dyshohet se viktima, shtetasi Endri Goxhaj, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në drejtim të 25-vjeçarit Dali Nela, duke e lënë të plagosur (aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën).

Në përgjigje të këtij veprimi, dy vëllezërit e të plagosurit, përkatësisht shtetasit D. N. (29 vjeç) dhe M. N. (28 vjeç), kanë hapur zjarr në drejtim të E. G. Ky i fundit mori plagë të rënda dhe humbi jetën gjatë transportimit për në spital. Pas të shtënave, dy vëllezërit janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes me një automjet.

Të arrestuarit dhe të proceduarit

Policia ka prangosur personin e plagosur, Dali Nela, 25 vjeç, si dhe 47-vjeçarin Aldo Kalemi, të dy nën akuzën e “Vrasjes me dashje, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve”. Pas hekurave ka rënë edhe shtetasi Ermal Mataij, 41 vjeç, i akuzuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Në kërkim intensiv policor janë dy vëllezërit që dyshohet se kryen vrasjen e Endri Goxhajt, ndërsa dy persona të tjerë po procedohen penalisht në gjendje të lirë: J. K., 44 vjeç, për deklarata të rreme dhe G. Q., 49 vjeç, për kanosje.

Provat e Sekuestruara

Në vendngjarje, ekspertët e kriminalistikës kanë mbledhur një sërë provash thelbësore, përfshirë:

Arma e zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se viktima (E.G.) plagosi 25-vjeçarin. (Arma u gjet me fishek në fole, gati për qitje).

1 krehër me fishekë dhe municion luftarak.

2 automjete dhe 2 motomjete.

4 aparate celularë.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës, ndërsa forcat e policisë vijojnë kërkimet për kapjen e dy vëllezërve në arrati.

/rtsh.al/